Pesë muaj pas shkarkimit të Arben Malajt, Parlamenti më në fund është kujtuar të nisë procedurat për plotësimin e vendit vakant në Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Duke qenë se Malaj ishte kandidaturë e propozuar nga Kuvendi, procedura e përzgjedhjes së kandidatit që do ta zëvendësojë do të kryhet nga ky institucion, përmes Komisionit për Ekonominë dhe Financat.
Sipas ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës duhet të kenë arsimin e lartë ekonomik ose juridik, përvojë profesionale në çështje financiare dhe bankare, kualifikime profesionale të profilit, si edhe përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike ose në institucionet financiare dhe bankare.
Afati për paraqitjen e kandidaturave është data 16 qershor.
Arben Malaj u shkarkua nga detyra e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës më 18 dhjetor 2019, pasi Këshilli i Ministrave e kishte pezulluar nga detyra në fillim të atij muaji. Pezullimi dhe kërkesa për shkarkim u motivua nga Kryeministria me pretendimin se Arben Malaj kishte mbajtur deklarata dhe qëndrime politike, që binin ndesh me kërkesat e nenit 47 të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”.
Në fakt, shkarkimi i Arben Malajt erdhi pas përplasjeve me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Fillimisht, mazhoranca tentoi ta shkarkonte përmes një procedure në Kuvend, por që u rrëzua nga kryetari, Gramoz Ruçi, sepse ligji nuk parashikonte mundësinë që një anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të shkarkohej me propozim të vetë Parlamentit.
Nën trysninë e klanit të Erion Veliajt, larja e hesapeve me Arben Malajn u bë përmes Këshillit të Ministrave, që e pezulloi dhe kërkoi shkarkimin e tij në Kuvend. Vetë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë nuk reagoi ndaj pezullimit të Arben Malajt dhe nisjes së procedurës për shkarkimin e tij.