Kursi i këmbimit mes euros dhe lekut shënoi të martën vlerën më të ulët në më shumë se një muaji. Sipas kursit zyrtar të këmbimit, euro u këmbye me 123.65 lekë, niveli më i ulët që prej datës 24 mars. Të dhënat e javëve të fundit tregojnë një tendencë të qartë normalizimi dhe kthim në nivelet e parakrizës së Covid-19.
Pas mbylljes së ekonomisë, në mesin e muajit mars, euro nisi një mbiçmim të shpejtë në kursin e këmbimit me lekun. Pikënisja besohet se ishte një rritje e përkohshme e kërkesës nga importuesit e mallrave të konsumit.
Pas aplikimit të masave kufizuese, qytetarët shtuan blerjet e produkteve bazë, të frikësuar nga pasojat që ky izolim mund të kishte në furnizimin e tregut. Gjithashtu, qeveria kërkoi prej importuesve krijimin e rezervave për të paktën tre muaj.
Kjo gjendje krijoi një kërkesë më të lartë për valutë dhe solli nisjen e një cikli të shkurtër të mbiçmimit të euros në kursin e këmbimit me lekun. Nga ana tjetër, mbyllja e kufijve për lëvizjen e shtetasve solli ulje drastike të të ardhuave nga turizmi, por edhe nga eksportet.
Forcimi i shpejtë i euros në pak ditë krijoi edhe pritshmëri të mëtejshme tek aktorët e tregut, duke bërë që faktori psikologjik ta çonte euron deri sipër nivelit të 131 lekëve. Besohet se në këtë moment pati një ndërhyrje nga Banka e Shqipërisë për qetësimin e tregut dhe qysh nga fillimi i muajit prill kursi i euros iu kthye rënies.
Të dhënat e disponueshme deri tani tregojnë se izolimi nga Covid-19 ka pasur një efekt neto pozitiv në bilancin tregtar të vendit. Për marsin, deficiti tregtar u ul me 15%, sepse në vlerë rënia e importeve ishte më e lartë se rënia e eksporteve. Një deficit tregtar më i ulët nënkupton më pak nevojë për valutë me qëllim financimin e këtij deficiti.