Viti 2020 nuk është një vit si të tjerët për ekonominë dhe tregjet financiare. Kursi i këmbimit nuk bën përjashtim. Historikisht, në muajt e verës leku ka regjistruar një tendencë mbiçmimi ndaj euros, e lidhur me ofertën më të madhe të monedhës europiane.
Turizmi hyrës në rritje vit pas viti dhe kthimi i emigrantëve sillnin prurje të shtuara të euros, duke sjellë një rënie të përkohshme të kursit me lekun. Këtë vit, nuk duket të ketë shenja të një tendence të tillë.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se euro gjatë muajit korrik është i stabilizuar pak sipër nivelit të 124 lekëve, me luhatje ditore minimale. Megjithëse Shqipëria i ka hapur kufijtë pa kufizime për shtetasit e huaj, situata e pandemisë së Covid-19 ka bërë që numri i turistëve të bjerë në përmasa drastike.
Vitin e kaluar, në tre muajt e verës Shqipërinë e vizituan mbi 2.3 milionë shtetas të huaj. Për këtë vit statistikat e para ende nuk janë të disponueshme, por ata pak turistë të huaj që kanë frekuentuar Shqipërinë kanë ardhur kryesisht nga vendet fqinje dhe sidomos nga Kosova. Hyrjet e turistëve nga vendet e tjera janë tejet modeste, ndërsa në rrugë ajrore tashmë ato llogariten me numër të fluturimeve charter.
Ecuria e kursit të këmbimit duket gjithashtu një tregues i tërthortë domethënës se këtë vit flukset valutore hyrëse nga turizmi janë më të ulëta. Paralelisht, kursi besohet se po ndikohet edhe nga oferta e lartë e lekut në treg. Banka e Shqipërisë ka injektuar sasi të mëdha likuiditeti në treg, për të parandaluar goditje afatshkurtra të shkaktuara nga kriza e lidhur me epideminë.
Statistikat tregojnë se baza monetare u rrit me 10% që nga fillimi i muajit mars. Edhe kjo ofertë e lartë e lekut në treg mund të jetë një faktor që frenon mbiçmimin e monedhës vendase në këtë periudhë, siç ka ndodhur historikisht.