4 Gusht

0 komente

Kuponi i obligacioneve 10-vjeçare ulet përsëri

Autor Ersuin Shehu

4 Gusht, 2020

kryesore

Pasiguria e shkaktuar nga situata e Covid-19 nuk po e ndikon shumë tregun e letrave të borxhit qeveritar, madje as në segmentin e instrumenteve më afatgjata. Në fund të muajit korrik, obligacionet me maturim 10-vjeçar u shitën në ankand me kupon prej 5.22%, në rënie të lehtë nga niveli 5.29% i ankandit të fundit për këto instrumente, që ishte zhvilluar në muajin janar.

Kundrejt një vlere obligacionesh prej 3.5 miliardë lekësh të nxjerra në shitje nga qeveria, vlera e kërkesave të paraqitura në ankand arriti në 5.5 miliardë lekë. Kjo tregon se interesi i investitorëve për titujt e borxhit qeveritar ngelet i lartë, pavarësisht përkeqësimit të ndjeshëm të treguesve buxhetorë. Kriza rriti në mënyrë të beftë dhe të fortë deficitin buxhetor dhe borxhin publik të vendit.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Në aktin e fundit normativ, të miratuar në fund të korrikut, qeveria e rriti deficitin buxhetor për këtë vit në nivelin 8.4%, ndërsa borxhi publik vlerësohet se do të arrijë në rreth 80%. Kriza e Covid e goditi buxhetin sidomos në krahun e të ardhurave. Krahasuar me buxhetin fillestar, projeksioni i të ardhurave është ulur me 63 miliardë lekë ose pothuajse 510 milionë euro.

Në këto kushte, do të ishte e pritshme që investitorët të kërkonin një çmim më të lartë për të financuar borxhin e qeverisë, por kjo nuk po ndodh. Investitorët dhe sidomos bankat vazhdojnë të besojnë se qeveria është një huamarrës i besueshëm dhe, me sa duket, nuk presin përkeqësime të mëtesjhme dhe dramatike të gjendjes së llogarive publike për shkak të epidemisë së Covid-19.

Nga ana tjetër, tregu financiar ngelet mjaft likuid dhe bankat zotërojnë ende  shumë burimeve të lira, me një raport mes kredive dhe depozitave në nivelin prej rreth 56%.

Megjithë përmirësimet, potencialet për të rritur kredinë te sektori privat vlerësohen të kufizuara dhe rreziqet në rritje, pikërisht për shkak të krizës. Në këto kushte, investitorët financiarë vazhdojnë të gjejnë tek obligacionet e qeverisë një instrument që siguron fitime të mira, me rreziqe të kufizuara. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes