7 Maj

1 komente

Kriza i gjeti bankat me fitime të majme. Disa kanë një kthim nga kapitali mbi 30%!

Autor Ersuin Shehu

7 Maj, 2020

kryesore

Kriza e Covid – 19 e ka gjetur sistemin bankar shqiptar më të begatë se kurrë në vitet e fundit. Në tremujorin e parë të vitit, 11 prej 12 bankave tregtare raportuan rezultat financiar me fitim, madje për shumicën e tyre shkalla e përfitueshmërisë është në nivele shumë të larta.

Mbështetur në të dhënat e paaudituara, të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, bankat tregtare kanë fituar pothuajse 6.4 miliardë lekë në tremujorin e parë, ndërsa kthimi nga kapitali, i përshtatur me bazë vjetore, rezultoi 15.34%. Katër prej bankave raportojnë një kthim nga kapitali mbi 20%, ndërsa për dy prej tyre ky tregues është madje më i lartë se 30%.

Bankat më fitimprurëse për tremujorin e parë kanë rezultuar Alpha Bank dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë, të ndjekura nga Tirana Bank dhe dhe OTP Bank. Në rast se OTP vijon në gjurmët e rritjes pozitive të vitit të kaluar, për Alpha Bank, UBA dhe Tirana Bank bëhet fjalë për një përmirësim të ndjeshëm të performancës financiare krahasuar me ecurinë tipike të tyre në vitet e fundit.

Megjithëse bëhet fjalë për kthime të mbështetura mbi supozimin se fitimi i tremujorit të parë do të shtrihet përgjatë gjithë vitit kalendarik, shifrat e mëposhtme dëshmojnë fitime mjaft të majme për një pjesë të mirë të bankave.

Kthimi nga kapitali për TI 2020, përshtatur me bazë vjetore

Alpha Bank32.53%
UBA32.21%
Tirana Bank26.65%
OTP Bank23.06%
BKT19.14%
Fibank18.09%
ABI Bank17.38%
Raiffeisen Bank11.2%
Union Bank9.86%
Intesa Sanpaolo7.24%
Credins Bank6.83%
ProCredit Bank-17.7%
Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave

Në vlerë absolute, fitimet më të mëdha edhe për tremujorin e parë i ka regjistruar Banka Kombëtare Tregtare. Banka më e madhe në vend për tre muaj ka raportuar një fitim prej 2.3 miliardë lekësh. Bankat e tjera kanë një diferencë të thellë sa i takon fitimeve në vlerë. E dyta renditet Raiffeisen Bank, me një fitim 782 milionë lekësh (në raportimin e saj të parë publik, sipas standardeve të Bankës së Shqipërisë, Raiffeisen rezultonte me humbje për të njëjtën periudhë)

Më tej, vijojnë Alpha Bank, Tirana Bank dhe OTP Albania. Edhe për tremujorin e parë, e vetmja bankë me humbje rezulton ProCredit Bank, me rezultat negative në vlerën e 133 milionë lekëve. Kjo ndoshta mund të lidhet edhe me një politikë tejet konservatore që ndjek kjo bankë në provigjionim, duke llogaritur si kredi në vonesë të gjitha huatë me vonesë mbi 30 ditë.

Fitimi neto për TI 2020

BKT2 321 mln lekë
Raiffeisen782 mln lekë
Alpha Bank721 mln lekë
Tirana Bank652 mln lekë
OTP Bank516 mln lekë
ABI Bank415 mln lekë
Intesa Sanpaolo391 mln lekë
Credins Bank302 mln lekë
Fibank154 mln lekë
Union Bank129 mln lekë
UBA113 mln lekë
ProCredit Bank-133 mln lekë
Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave

Shifrat e tremujorit konfirmojnë se kriza e Covid-19 i ka gjetur bankat në një moment shumë të mirë. Megjithatë, efektet e krizës në portofolet e kredisë dhe në ekonominë reale pritet ta ndryshojnë tablonë për pjesën tjetër të vitit. Ndryshimet rregullatore të muajit mars nuk do të kërkojnë riklasifikim dhe provigjionim për kreditë e ristrukturuara deri në fund të muajit maj. Kjo do të bëjë që rezultati financiar të mos rëndohet nga provigjionet, të paktën sipas kërkesave të Bankës së Shqipërisë.

Por, mbështetur në standardet e ndërkombëtare të raportimit financiar nuk përjashtohet që bankat të ndjekin një linjë më konservatore, sidomos ato që janë pjesë e grupeve bankare të huaja. Gjithashtu, shtyrja e kësteve të kredisë për tre muaj pritet të ketë një efekt të fortë, në formën e të ardhurave të munguara nga interesat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes