15 Nëntor

0 komente

Kriza e TVSH-së, buxheti do të paguajë “haraçin” e borxheve

Autor Ersuin Shehu

15 Nëntor, 2019


Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) është kolona kryesore ku mbahet buxheti i shtetit dhe siguron rreth një të tretën e të ardhurave tatimore. Këtë vit, të ardhurat nga TVSH-janë në rënie krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa performanca e të ardhurave nga ky tatim parashikohet negative edhe për vitin e ardhshëm.

Sipas projektbuxhetit, të ardhurat nga TVSH në vlerë absolute parashikohen të njëjtëa me ato të këtij viti, ndërsa në terma realë ato do të bien në 8.5% të PBB-së, nga 8.9% që priten të jenë këtë vit, mbështetur në aktin normativ të buxhetit 2019.

Në kushtet kur buxheti parashikon një rritje ekonomike nominale me rreth 5.2% dhe në kushtet kur statistikat dëshmojnë një përmirësim të konsumit, kriza e të ardhurave nga TVSH-ja tingëllon si paradoks. Nëse niveli i tatimit nuk ndryshon, evazioni fiskal nuk rritet dhe kursi i këmbimit nuk ka luhatje të forta, të ardhurat nga TVSH-ja duhet të qëndrojnë minimalisht të pandryshuara, në terma realë.

I vetmi shpjegim logjik për projeksionet e zymta të vitit të ardhshëm është grumbullimi i shumave të mëdha të TVSH-së së parimbursuar. Të ardhurat nga ky tatim në buxhet raportohen në terma neto, si diferencë mes TVSH-së së arkëtuar dhe asaj të rimbursuar.

Kontrolli i Lartë i Shtetit e raportonte TVSH-në e parimbursuar në fund të vitit të kaluar në afro 21 miliardë lekë, ndërsa Ministria e Financave nuk ka një informacion të përditësuar për shumën e këtyre detyrimeve. Por, deri në fund të shtatorit, qeveria ka rimbursuar gjithsej rreth 14.5 miliardë lekë TVSH. Kjo do të thotë se as TVSH-ja e parimbursuar, bartur nga viti i kaluar, nuk është shlyer e gjitha, pa përfshirë detyrimet e reja për rimbursim të krijuara këtë vit.  

Rrjedhimisht, mund të supozohet nga parashikimi negativ për të ardhurat nga TVSH-ja lidhet me nevojën për të paguar TVSH-në e parimbursuar. Sipas KLSH-së, deri në fund të vitit 2018, detyrimet e prapambetura në total ishin pothuajse 520 milionë euro, ose rreth 3.8% e PBB-së.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes