Kriza ekonomike e shkaktuar nga COVID-19 mund të zhysë në varfëri 230 mijë shqiptarë. Banka Botërore ka ndërtuar projeksione mbi ndikimin që kriza ekonomike e shkaktuar te koronavirusi do të ketë në mirëqenien dhe varfërinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas simulimeve të kryera nga ekspertët e Bankës Botërore, vlerësohet se shkalla e varfërisë në Shqipëri mund të rritet me 4 deri në 8 pikë përqindje. Nga rreth 35.5% që vlerësohet aktualisht, ky tregues mund të shkojë në rreth 40% në skenarin e parë dhe 44% në skenarin e dytë.
Një shkallë varfërie pranë nivelit të 44% do ta çonte numrin e shqiptarëve poshtë pragut të vafrfërisë në rreth 1.24 milionë, nga 1.01 milionë që vlerësohen aktualisht. Sipas skenarit më optimist, varfëria në Shqipëri mund të kthehet në nivelin e vitit 2012 dhe, sipas skenarit më pesimist, ajo do të ishte e barabartë me nivelin e vitit 2005.
Meqenëse shumica e njerëzve që punojnë në bujqësi janë tashmë të varfër, dhe simulimi nuk supozon ulje të të ardhurave në bujqësi, rritja e varfërisë do të vijë kryesisht te njerëzit të cilët punojnë në sektorin e shërbimeve në zonat urbane dhe që pritet të humbasin një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre.
Efekti kryesor ekonomik për qytetarët si rezultat i pandemisë do të jetë rënia e të ardhurave nga punësimi. Kjo do të prekë ndoshta fillimisht të punësuarit në sektorët më të cenueshëm nga kriza, por eventualisht do të shtrihet edhe në sektorë të tjerë, formalë dhe informalë, të ekonomisë.
Vlerësohet se kriza pati ndikim të menjëhershem tek të punësuarit në sektorët e hotelerisë, argëtimit, transportit, shitjes me pakicë të artikujve jo-ushqimorë dhe në disa sektorë të prodhimit industrial).
Veçanërisht të rrezikuar janë personat e vetëpunësuar, me punësim informal dhe ata me punë të përkohshme ose me kontrata jo shumë të sigurta. Këta kanë më shumë gjasa të humbasin vendet e punës, të punojnë më pak ose t’u ndërpriten përkohësisht marrëdhëniet e punës, në krahasim me të punësuarit formalë me kontrata përhershme.
Ka gjasa që edhe emigrantët shqiptarë të preken nga kjo krizë globale, që do të sjellë reduktim të të ardhurave e për rrjedhojë edhe të remitancave.