Bankat parashikojnë t’i lehtësojnë standardet e huadhënies këtë tremujor. Vrojtimi i aktivitetit kreditues i Bankës së Shqipërisë konfirmoi, siç pritej, shtrëngimin e fortë në tremujorin e dytë. Megjithatë, mbështetur në përgjigjet e bankave, standardet e kreditimit pritet të lehtësohen qysh në tremujorin e tretë.
Shtrëngimi i tremujorit të dytë u shpreh nëpërmjet kushtëzimeve më të larta në marrëveshjet e kredisë, reduktimit të madhësisë së tyre dhe shtimit të lehtë të marzheve mbi kreditë me rrezik.
Kriza e lidhur me pandeminë e Covid-19 solli një rritje të perceptimit të rrezikut nga ana e bankave tregtare. Në mesin e muajit mars u vendos moratoriumi i pagesave që çoi në shtyrjen e një portofolit prej 2 miliardë eurosh kredi bankare.
Sidomos gjatë muajve mars dhe prill, bankat pothuajse e pezulluan kreditimin dhe fokusi ishte i gjithi në menaxhimin e procesit të shtyrjes së kësteve. Gjatë tremujorit të dytë, standarde të shtrënguara kreditimi u raportuan si në kreditë për blerje banesash, ashtu edhe në ato për financimin e konsumit.
Megjithatë, pas hapjes së ekonomisë, duket se edhe kreditimi ka nisur të lëvizë. Ndonëse huadhënia në mënyrë të paevitueshme do të vazhdojë të jetë në ndikimin e pasojave të pandemisë, pritshmëritë e bankave për tremujorin e tretë tregojnë se momenti i ngërçit ka kaluar.