15 Shkurt

0 komente

Kreditimi po zhvendoset drejt lekut. Monedha vendase ka fituar 10 pikë përqindje në pesë vjet.

Autor Ersuin Shehu

15 Shkurt, 2020


Monedha vendase po fiton dukshëm terren në kreditimin e ekonomisë. Në fund të vitit 2019, kredia në lekë përbënte 48.7% të kredisë për sektorin privat, 10 pikë përqindje më shumë krahasuar me pesë vjet më parë.

Portofoli i kredisë në lekë është mbështetur nga ulja e ndjeshme e normave të interesit dhe, në veçanti, nga ngushtimi i hendekut krahasuar me interesat e kredisë në euro. Nga ana tjetër, edhe vetë oferta e bankave për huadhënie në monedhën vendase është përmirësuar, mbështetur edhe në qasjen për t’i nxitur klientët që të shmangin rrezikun e kursit të këmbimit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2019 kredia në lekë shënoi norma vjetore të rritjeje pak sipër nivelit të 10%. Mesatarisht, portofoli i kredisë për ekonominë në tremujorin e katërt të vitit të kaluar u rrit me 7.8% ose 0.3 pikë përqindje më shumë se në tremujorin paraardhës.

Zhvillimet pozitive në aktivitetin kreditues janë mbështetur nga lehtësimi i ofertës për kredi dhe nga përmirësimet strukturore që kanë ndodhur në sektorin bankar gjatë vitit 2019.

Viti i kaluar, përfundimisht, rezultoi mjaft pozitiv për tendencat e kreditimit të ekonomisë, që është rritur ndjeshëm edhe në terma realë. Raporti i kredisë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto arriti në 36.5% ose 1.2 pikë përqindje më shumë se një vit më parë.

Kredia për biznese ishte kontribuuesi kryesor në rritje, ndryshe nga sa ishte vërejtur në dinamikën e kreditimit të tre viteve të mëparshme. Në fund të vitit të kaluar, kredia për biznesin u rrit me 8%.

Rritja e kredisë për biznese në tremujorin e katërt, është përcaktuar nga zgjerimi i kredisë për investime. Ky portofol është rritur mesatarisht 9.2% krahasuar me një vit më parë, ose rreth 4 pikë përqindje më shumë se në tremujorin e tretë.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes