6 Shkurt

0 komente

Kreditë me probleme ulen në 8.4%, niveli më i ulët në gati 11 vjet

Autor Ersuin Shehu

6 Shkurt, 2020


Viti 2019 u mbyll me përmirësime domethënëse në cilësinë e kredisë bankare. Guvernatori i Bankës Qendrore, Gent Sejko, tha të mërkurën se, në fund të dhjetorit, raporti i kredive me probleme zbriti në 8.4%, niveli më i ulët në pothuajse 11 vjet. Ky tregues tashmë po ulet gradualisht në nivelet e parakrizës.

Normalizimi i kredive me probleme, përveçse një indikator thelbësor për shëndetin e sistemit bankar, është gjithashtu një faktor përcaktues në ofertën për kredi. Statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se vitin e kaluar portofoli i kredisë për ekonominë u rrit me më shumë se 7%, duke dalë nga një periudhë e gjatë stanjacioni.

Ulja e kredive me probleme është rezultat i përpjekjeve disavjeçare, të ndërmarra sidomos nga viti 2013 e në vazhdim. Ndikimin e parë dhe ndoshta më të rëndësishëm në këndvështrimin sasior e dha nxjerrja nga bilancet e kredive të humbura.

Në vitin 2015, Banka e Shqipërisë nxorri rregulloren që detyronte bankat të fshinin ato hua që rezultonin si të humbura prej më shume se tre vjetësh. Qysh atëherë, bankat kanë fshirë rreth 500 milionë euro kredi të humbura.

Rregullorja në fjalë u ndryshuar sërish vitin e kaluar dhe, duke filluar nga viti 2020, afati për fshirjen e kreidve të humbura do të ulet në dy vjet. Kjo pritet të ndikojë në një ulje të mëtejshme në raportin e kredive me probleme.

Më tej, ulja e kredive me probleme u ndihmua nga përmirësimet në procesin e ekzekutimit të kolateralit dhe nga një përdorim më i eficient i ristrukturimit të kredive për huamarrësit në vështirësi të përkohshme.

Ndërkohë, sidomos gjatë vitit 2019, ulja e raportit të kredive me probleme u nxit nga rritja e ritmeve të kreditimit. Zmadhimi i portofolit bën që e njëjta sasi e kredive me probleme të ketë një peshë specifike më të ulët, duke ndikuar në uljen e raportit të tyre kundrejt totalit.

Viti 2020 ka nisur me premisa të mira për sistemin bankar, megjithatë përmirësimi i mëtejshëm i huadhëines dhe i raportit të kredive me probleme do të jenë të lidhura me ecurinë e ekonomisë gjatë këtij viti.

Në deklaratën e të mërkurës, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shprehte një lloj pesimizmi në pritshmëritë për këtë vit. Guvernatori Sejko tha se tërmeti i nëntorit do t’i japë pasojat kryesisht gjatë vitit 2020, ndërsa ndikimi pozitiv nga procesi i rindërtimit do të jetë më i vonuar në kohë.

Megjithëse dëmet direkte të tërmetit te klientët e bankave kanë rezultuar më të kufizuara nga sa u mendua në një moment të parë, ndikimet e tërthorta në aktivitetin ekonomik mund të japin efekte negative, të përshkallëzuara në kohë gjatë muajve në vijim.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes