8 Maj

0 komente

Kreditë me probleme, të qëndrueshme në 8.2%

Autor Ersuin Shehu

8 Maj, 2020

kryesore

Raporti i kredive me probleme rezultoi i qëndrueshëm edhe për muajin mars. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues qëndroi në nivelin 8.2%, po aq sa kishte qenë edhe në muajin shkurt. Deri në këtë moment, pasojat e tërmetit dhe shpërthimit të pandemisë nuk janë reflektuar në cilësinë e portofolit të kredisë bankare, ndonëse për vlerësimin e ndikimeve të koronavirusit është ende herët.

Në muajin mars, Banka e Shqipërisë vendosi të mos kërkojë riklasifikim të kreidve që do të ristrukturohen deri në fund të majit. Ky vendim ishte baza që mundësoi shtyrjen e pagesës së kësteve të kredisë deri në fund të këtij muaji. Sipas Bankës së Shqipërisë, deri tani bankat kanë shtyrë pagesat për rreth 21 mijë kredi, me një vlerë totale portofol prej rreth 2 miliardë eurosh.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Pezullimi i përkohshëm i kërkesës për riklasifikim dhe provigjionim të kredive do të bëjë që të paktën në muajt e parë të mos ketë rritje domethënëse të raportit të kredive me probleme. Një efekt i parë mund të bëhet i prekshëm vetëm pas tremujorit të tretë. Megjithatë, kjo nuk përjashton që banka të veçanta të ndjekin praktika më konservatore dhe të riklasifikojnë gjithsesi kreditë mbështetur në standardet ndërkombëtare të raportimit financiar.

Gjithsesi, për të lehtësuar sektorët më të prekur nga kjo krizë, Banka e Shqipërisë parashikon t’iu krijojë hapësira bankave për shtyrje të mëtejshme të kredive, edhe pas muajit maj. Bëhet fjalë kryesisht për sektorë si turizmi apo fasonet.

Guvernatori Sejko la të kuptohet të mërkurën se Banka Qendrore për këto raste do ta shtyjë efektin e masave të përkohshme që u morën në mars. Kjo nënkupton se bankave nuk do t’iu kërkohen fonde rezervë, nëse pranojnë të shtyjën edhe më gjatë pagesat e kësteve nga bizneset e sektorëve të prekur. Sidoqoftë, ky do të jetë një proces që duhet kryer në mirëkuptim mes bankës dhe klientit.

Besohet se pas muajit maj, sistemi financiar do të mund të fillojë të bëjë bilancet e para të ndikimit të pandemisë. Ulja e pritshme e rritjes ekonomike pritet të godasë aftësinë paguese të bizneseve dhe familjeve, çka mund të reflektohet në një rritje të portofolit të kredive me probleme. Gjithashtu, më pak rritje ose në një skenar më të keq, rënie ekonomike, do të sjellë edhe më pak kërkesë për kredi bankare.

Kjo situatë do të jetë një sfidë e re për sistemin bankar, megjithatë ana pozitive e medaljes është se kriza e radhës e gjen sistemin bankar në pozita të shëndetshme. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit në fund të muajit mars arriti nivelin rekord prej 19.1%. Këtu ka ndikuar hyrja në fuqi, në fillim të muajit mars, e shtesave makroprudenciale të kapitalit, të vendosura vitin e kaluar nga Banka e Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes