Raporti i kredive me probleme rezultoi i qëndrueshëm edhe për muajin prill. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ky raport u rrit lehtë në 8.3%, nga 8.2% që kishte qenë për marsin. Efektet e krizës së Covid-19 ende nuk po reflektohen në portofolin e kredisë bankare, edhe për shkak të masave të Bankës së Shqipërisë, që ka pezulluar kërkesat për riklasifikimin e kredive deri në fund të muajit gusht.
Ky vendim mundësoi shtyrjen e pagesës së kësteve të kredisë për huamarrësit e prekur nga pasojat e krizës. Mbështetur në të dhënat e raportuara nga bankat, vlera totale e kredive të shtyra ishte më shumë se 2 miliardë euro.
Pezullimi i përkohshëm i kërkesave për riklasifikim dhe provigjionim të kredive do të bëjë që të paktën në muajt e parë të krizës të mos ketë rritje shqetësuese të raportit të kredive me probleme.
Megjithatë, në një analizë të këtij muaji, Banka Botërore shpreh shqetësim për ngrirjen e riklasifikimit dhe provigjionimit të kredive. Sipas analizës, një masë e tillë duhet të jetë e kujdesshme dhe e monitoruar me kujdes, sepse e bën të vështirë krijimin e një ideje të qartë për përmasat e ndikimit të krizës në portofolet e bankave.
Nuk përjashtohet që banka të veçanta të ndjekin praktika më konservatore dhe të riklasifikojnë gjithsesi kreditë mbështetur në standardet ndërkombëtare të raportimit financiar. Ulja e pritshme e rritjes ekonomike pritet të godasë aftësinë paguese të bizneseve dhe familjeve, çka mund të reflektohet në një rritje të portofolit të kredive me probleme.
Gjithashtu, rënia e prodhimit kombëtar do të sjellë edhe ulje të kërkesës për kredi bankare. Pritet që në gjysmën e dytë të vitit bankat të përballen menjë skenar sfidues, megjithatë pozitive është që kriza e radhës e gjeti sistemin bankar në pozita solide dhe të shëndetshme. Sipas të dhënave më të fundit, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ka arritur nivelin rekord prej 19.1%.