Raporti i kredive me probleme në ekonomi regjistroi sërish një ulje të lehtë në muajin shkurt. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues zbriti në shkallën 8.18%, nga 8.3% që kishte qenë në muajin janar.
Vijimësia e uljes së raportit të kredive me probleme, mes të tjerash, tregon se efektet e tërmetit të vitit të kaluar në portofolin e kredisë bankare kanë qenë të përmbajtura nga sa parashikohej.
Bankat duket se kanë kaluar pa pasoja serioze goditjen e parë që pësoi ekonomia nga tërmeti, ndërsa tani vëmendja është e gjitha te impakti edhe më serioze që pritet të shkaktojë epidemia e COVID 19.
Në muajin mars, Banka e Shqipërisë vendosi të pezullojë kërkesat për riklasifikim të kredive që do të ristrukturohen deri në fund të muajit maj. Ky ishte instrumenti kryesor ligjor që mundësoi shtyrjen me tre muaj të pagesave të kredive për huamarrësit në vështirësi, për shkak të kufizimeve të vendosura nga COVID 19.
Mes të tjerash, kjo do të ndihmojë në mbajtjen nën kontroll, së paku nga pikëpamja statistikore, të raportit të kredive me probleme për këta tre muaj.
Një rritje mund të vijë ndoshta vetëm nga rënia e huadhënies së re dhe zvogëlimi i portofolit të kredisë, për shkak të efektit të emëruesit. Rritja e kredisë ka qenë një faktor me rëndësi në uljen e shkallës së kredive me probleme, sidomos pas mesit të vitit 2019.
Besohet se pas muajit maj, sistemi financiar do të mund të fillojë të bëjë bilancet e para të ndikimit të pandemisë. Ulja e pritshme e rritjes ekonomike pritet të godasë aftësinë paguese të bizneseve dhe familjeve, çka mund të reflektohet në një rritje të portofolit të kredive me probleme.
Gjithashtu, më pak rritje ose në një skenar më të keq, rënie ekonomike, do të sjellë edhe më pak kërkesë për kredi bankare. Kjo situatë do të jetë një sfidë e re për sistemin bankar, megjithatë ana pozitive e medaljes është se kriza e radhës e gjen sistemin bankar në pozita solide dhe të shëndetshme.
Vitet e fundit, rezultatet finaciare kanë qenë pozitive për shumicën e bankave, ndërsa raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin është mbi 18%, nivel mjaft i lartë krahasuar me shumicën e vendeve europiane.