Biznesi i madh ka marrë në dorë rritjen e kredisë për ekonominë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Të dhënat e analizës së tendencave në kreditim, të Bankës së Shqipërisë, tregojnë se pikërisht ky segment ka qenë përcaktues në rritjen e huasë për ekonominë, ndërsa te bizeset e vegjël dhe individët rritja është shfaqur më e ngadaltë.
Tërmeti i nëntorit duket se mund të ketë pasur ndikim pikërisht te huamarrësit më të vegjël, ndërsa nuk ka ndikuar shumë ecurinë e ndërmarrjeve të mëdha.
Kredia për biznesin e madh u rrit me 4.5%, rreth 2.5 pikë përqindje më shumë krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Aktualisht, ajo përbën rreth 12.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Në analizën e Bankës së Shqipërisë, gjallërimi i kredisë për biznesin e madh lidhet shumë me përmirësimin e ofertës në këtë segment të tregut. Lehtësimi i ofertës mund t’i atribuohet më së shumti dy faktorëve, uljes së kredive me probleme dhe procesit të ristrukturimit të sistemit bankar.
Në fund të vitit 2019, raporti i kredive me probleme për bizneset zbriti në 10.7%, niveli më i ulët historik prej rreth 11 vjetësh. Rënia në këto nivele mund të konsiderohet një arritje e rëndësishme për sistemin bankar, po të kemi parasysh se kreditë e këqija të biznesit patën arritur deri në rreth 26% të totalit, në kulmin e krizës së tyre.
Ulja e këtij raporti është ndikuar më së shumti nga procesi i fshirjes së kredive të humbura. Në pesë vjet, bankat kanë fshirë nga bilancet rreth 68 miliardë lekë ose rreth 560 milionë euro kredi të bizneseve.
Së fundmi, rritja e kreditimit te biznesi i madh duket e lidhur edhe me ndryshimin e pronësisë mbi disa prej bankave tregtare, çka e rritur ofertën për kredi. Disa prej bankave që kanë ndryshuar pronësi, sidomos Tirana Bank dhe OTP Bank, janë shfaqur mjaft aktive në huadhënie, përfshi këtu segmentin e kredive të mëdha korporative.
Tirana Bank është një shembull domethënës i gjallërimit të kredisë mes bankave që praktikisht e kishin stopuar atë. Në periudhën e krizës, banka e grupit të Pireut vuajti një raport shumë të lartë të kredive me probleme, në kufijtë e 50%, të shkaktuar sidomos nga ekspozimet e dështuara në segmentin e korporatave.
Disa prej këtyre kredive, si për shembull ajo e dhënë për qendrën tregtare City Park, u bënë një lloj embleme e vendimeve të gabuara të sistemit bankar gjatë viteve të ekspansionit euforik.
Kjo solli praktikisht një stopim total të huadhënies së re për vite me radhë. Pas kalimit në pronësinë e grupit Balfin, gjërat kanë ndryshuar. Mbështetur në të dhënat e publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të shtatorit 2019, portofoli i kredisë së Tirana Bank arriti në 29 miliardë lekë, me një rritje prej 34% krahasuar me një vit më parë.
Besohet se kjo rritja ka vijuar edhe gjatë muajve në vazhdim, që ende nuk mbulohen nga statistikat, përfshi këtu edhe kredi të konsiderueshme në segmentin e biznesit të madh.
Mes fundit të 2019 dhe fillimit të 2020, Tirana Bank ka financuar me rreth 2.5 milionë euro kompanitë e Armand dhe Agron Dukës (AIBA dhe Go Tech).
Dy prej bizneseve të familjes Duka, Go Tech dhe Eco Market Food, janë njëkohësisht konkurrente direkte të ndërmarrjeve të grupit Balfin në tregun e shitjeve me pakicë.
Gjithashtu, Tirana Bank financoi tërësisht blerjen e 34% të aksioneve të Birrës Tirana nga kompania e Irfan Hysenbelliut, me një kredi prej katër milionë eurosh.