6 Maj

0 komente

Kreditë e bizneseve të prekur nga kriza pritet të shtyhen përsëri

Autor Ersuin Shehu

6 Maj, 2020

kryesore

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, paralajmëroi të mërkurën një shtyrje të mëtejshme të kësteve të kredive për bizneset e prekura nga kriza. Guvernatori tha se Banka Qendrore po mendon të shtyjë masat lehtësuese të miratuara në muajin mars për t’iu mundësuar bankave të ristrukturojnë sërish kreditë e sektorëve më të prekur nga kriza e pandemisë së Covid 19.

Sipas tij, sektorë si turizmi apo fasonet mund të kenë nevojë për shtyrje të mëtejshme të kësteve të huave bankare, për shkak se pasojat e krizës në këta sektorë mund të shtrihen më gjatë në kohë. Megjithatë, Sejko tha se hapat e mëtejshme në këtë drejtim do të merren në bashkëpunim dhe mirëkuptim me bankat.

Në muajin mars, Banka e Shqipërisë miratoi disa ndryshime të përkohshme në rregulloret për administrimin e rrezikut të kredisë së institucioneve të licencuara financiare.

Sipas ndryshimeve, këtyre institucioneve nuk do t’iu kërkohet që të klasifikojnë si kredi të këqija kreditë e ristrukturuara deri në fund të muajit maj. Kjo do t’i lehtësojë bankat nga kosto e llogaritjes së provigjioneve për kreditë në fjalë.

Mbështetur në deklarimet e Guvernatorit, lehtësitë e miratuara në mars mund të shtyhen më tej në kohë, të paktën për disa kategori të veçanta të kredive. Shtyrja mund të bëhet për tre ose gjashtë muaj të tjerë.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, deri tani bankat kanë shtyrë pagesat për 22 mijë kredi, për një portofol total në vlerën e rreth dy miliardë eurove. Kjo shumë përfaqëson rreth 43% të portofolit total të kredisë bankare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes