Kredia për ekonominë u rrit me katër miliardë lekë në muajin maj. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se pavarësisht krizës së Covid-19, aktiviteti kreditues po ruan rritjen pozitive. Në fund të muajit maj, portofoli i kredisë për ekonominë kishte vlerën e 582 miliardë lekëve, në rritje me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në këtë fazë, besohet se një ndikim të rëndësishëm në rritjen e kredisë për ekonominë kanë dhënë skemat e garancisë sovrane të qeverisë shqiptare. Mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Finacave, në mesin e muajit qershor kishin përfituar shfrytëzuar pak më shumë se gjysmën e fondit të garancisë së parë sovrane të vendosur në dispozicion nga qeveria. Deri më datë 15 qershor, bankat kishin miratuar rreth 6 miliardë lekë kredi në kuadër të kësaj skeme.
Fondi i parë i garancisë i miratuar nga qeveria shqiptare kishte vlerën e 11 miliardë lekëve dhe kishte si qëllim mbështetjen për dhënien e pagave të bizneseve të prekura nga kriza. Fillimisht, ky instrument u prit pa shumë interes nga bizneset, ndërsa aplikimet u shtuan vetëm pasi qeveria shqiptare vendosi të subvencionojë normën e interesit të kredisë.
Në muajin maj, qeveria vendosi në dispozicion një skemë të dytë të garancisë sovrane, në vlerën e 15 miliardë lekëve, për të mbështetur rimëkëmbjen e aktivitetit të bizneseve me likuiditet. Megjithatë, skema e dytë mbulon vetëm 60% të huasë që do të përfitohet nga biznesi.
Megjithatë, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se bankat kanë vijuar të rrisin kreditimin edhe në segmentin e individëve, që nuk mbulohet nga garancitë sovrane. Gjatë muajit maj, kredia për individët u rrit me rreth 1 miliardë lekë krahasuar me prillin. Kjo tregon se as aktiviteti normal kreditues nuk është bllokuar, pavarësisht tronditjes që solli në ekonomi epidemia e Covid-19.