5 Shkurt

0 komente

Kredia u rrit me 310 milionë euro vitin e kaluar

Autor Ersuin Shehu

5 Shkurt, 2020


Kredia për ekonominë shqiptare u rrit me 38 miliardë lekë ose rreth 310 milionë euro gjatë vitit 2019. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar kreditimi iu rikthye përfundimisht rritjes me ritme bindëse, pas një periudhe disavjeçare në stanjacion.

Me bazë vjetore, portofoli i kredisë për ekonominë u rrit me 7% dhe në fund të dhjetorit kishte vlerën e 570.6 miliardë lekëve. Pavarësisht ngërçit të përcjellë në ekonomi nga tërmeti, muaji dhjetor rezultoi pozitiv për kreditimin, me një rritje të portofolit prej rreth 2.5 miliardë lekësh.

Kontributin kryesor në rritjen e huasë për dhjetorin e dha segmenti i biznesit, përfshi edhe një rritje të portofolit të kompanive publike. Gjatë vitit të kaluar, kredia për biznesin u rrit me 5.8%, duke ndërprerë një tendencë negative disavjeçare.

Veç rritjes së huadhënies së re, rritja e portofolit të biznesit është ndikuar edhe nga pakësimi i fshirjes së kredive. Për tre vitet e mëparshme, pastrimi i kredive të humbura e kishte tkurrur ndjeshëm kredinë totale për biznesin. Që nga fillimi i procesit të fshirjes, në vitin 2015, bankat kanë nxjerrë jashtë bilanceve rreth 500 milionë euro kredi të humbura.

Kredia për bizneset private ngelet kolona kryesore e kreditimit të ekonomisë, me rreth 59% të portofolit total të huasë.

Ndërsa segmenti i individëve për nëntorin pësoi një frenim të lehtë, ndoshta i kushtëzuar nga situata e post-tërmetit. Sidoqoftë, ecuria e këtij segmenti përgjatë vitit të kaluar ishte pozitive. Krahasuar me fundin e vitit 2018, portofoli i kredisë për individët u rrit me 6.7%.

Oferta e kredisë nga bankat për këtë segment vitet e fundit ka qenë në rritje, me një qëllim një shpërndarje më të mirë të rrezikut kreditor. Rritja e huasë në mes individëve është ndikuar ndjeshëm nga normat e ulëta historike të interesit.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes