Kredia për blerjen e banesave e dhënë nga sistemi bankar shqiptar ka arritur në 121 miliardë lekë ose pothuajse një miliardë euro në fund të muajit mars. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, rritja vjetore e këtij portofoli ka arritur në më shumë se 13%.
Duke qenë se një pjesë e madhe e portofolit është në valutë, rritja i detyrohet edhe efektit të kursit të këmbimit, pas mbiçmimit të përkohshëm të euros në pjesën e dytë të muajit mars.
Pavarësisht nga kjo, kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme është ndër produktet më dinamike të sistemit bankar në vitet e fundit.
Ulja e normave të interesit dhe rritja e fokusit të sistemit bankar në segmentin e individëve ka favorizuar zgjerimin e kredisë për pasuri të paluajtshme. Bankat po fokusohen gjithnjë e më shumë te këto produkte, me qëllim një diversifikim më të lartë të portofolit të kredisë te klientët individë.
Kreditë për blerje banesash kanë afate të gjata maturimi, çka mundëson një rritje të qëndrueshme të portofolit në kohë, por, gjithashtu, kanë edhe raportin më të ulët të kredive me probleme, me produkteve kryesore të huasë bankare.
Kredia është një nga faktorët kryesorë që e kanë gjallëruar disi tregun e pasurive të paluajtshme në vitet e fundit, sidomos në kryeqytet. Indeksi i çmimit të banesave që llogaritet me frekuencë 6-mujore nga Banka e Shqipërisë tregoi se në gjysmën e dytë të vitit 2019 çmimet mesatare të banesave në Tiranë u rritën me pothuajse 15%.
Ulja e normave të interesit i ka shtyrë shumë familje të vendosin të blejnë një shtëpi të tyren për banim, por, në disa raste dhe si formë investimi. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, rreth 65% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare.