Kredia për ekonominë shqiptare u rrit me pothuajse 10 miliardë lekë për muajin shkurt. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se portofoli i kredisë arriti vlerën e 579 miliardë lekëve, me një rritje vjetore prej 7%.
Rritja e kredisë për ekonominë edhe në fillimet e këtij viti ka arritur të ruajë nivele të ngjashme me vitin e kaluar, çka është një tregues pozitiv, sidomos pas tërmetit të fundit të vitit të kaluar.
Kontributin më të madh në rritja vazhdon ta japë rimëkëmbja e kredisë për biznesin, që gjatë shkurtit u rrit me rreth tetë miliardë lekë.
Kredia për ndërmarrjet private po rritet me një ritëm vjetor prej 5.4% dhe përbën rreth 59% të portofolit total të kredisë për ekonominë.
Ndërkohë, segmenti i individëve ka një peshë specifike më të vogël, por vazhdon të shfaqë një rritje të qëndrueshme në kohë. Statistikat tregojnë se për shkurtin kredia për individët u rrit me 1.5 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me një vit më parë porotfoli është në rritje me 6.7%. Në total, kredia e sistemit bankar për individët është rreth 198.5 miliardë lekë.
Megjithatë, sprova e vërtetë për ekonominë shqiptare do të jetë epidemia e Covid 19, që pritet të shtrijë efeketet edhe në ecurinë e kredisë për ekonominë. Ngadalësimi i ekonomisë do të frenojë kërkesën për kredi dhe ndoshta do të sjellë rritje të raportit të kredive me probleme.
Banka e Shqipërisë ka vendosur të mos kërkojë riklasifikim të kredive deri në fund të muajit maj, por është e qartë se kjo situatë do t’i shtrijë efektet në ekonomi për një kohë më të gjatë.