Huadhënia nga segmenti fintech në Europë pritet të arrijë vlerën e 8.5 miliardë eurove gjatë këtij viti. Mbështetur në të dhënat e kompanisë suedeze finanso.se, huadhënia e mbështetur në teknologjitë e financës dixhitale pritet të rritet me 10% nga viti i kaluar.
Për vitin 2019, vetëm në Europë, sektori fintech siguroi hua në vlerën e 7.7 miliardë eurove.
Kriza financiare solli një shtrëngim të ndjeshëm të huadhënies për bizneset dhe familjet në dekadën e fundit. Nga ana tjetër, ajo solli edhe ulje të normave të interesit në nivelet më të ulëta historike.
Modeli i financës fintech e ka shfrytëzuar më së miri këtë moment, për të grumbulluar fonde nga investitorët e etur për fitime më të larta dhe për të dhënë hua te ndërmarrjet dhe bizneset me akses të vështirë në sektorin bankar.
Në themel të këtij modeli janë kryesisht platformat e crowdlending ose peer to peer lending, si Upstart, Mintos, Funding Circle, etj.
Duke përdorur avantazhet që ofron teknologjia, përmes aksesit të shpejtë në informacion dhe algoritmeve që e përpunojnë atë, këto kompani ofrojnë kredi në kohë të shpejtë dhe pa procedura burokratike. Ana tjetër e medaljes, sigurisht, janë normat më të larta të interesit.
Në volume, huamarrësit më të mëdhenj të sektorit fintech janë bizneset, me pothuajse 70% të vlerës totale të financimeve. Në numër huash, tregu natyrisht dominohet nga kreditë individuale.
Sipas vlerësimeve të industrisë, vitin e kaluar sektori fintech dha 1 milionë kredi konsumatore dhe rreth 76 mijë kredi për biznese.
Tregu më i madh i huadhënies fintech është bindshëm Britania e Madhe. Tregu britanik parashikohet të arrijë një volum prej rreth 4.3 miliardë eurosh ose sa gjysma e volumit total të tregut europian. Pas Britanisë, tregjet më të rëndësishme për nga përmasat janë Zvicra dhe Italia.
Kjo formë huadhënieje është sjellë në Shqipëri nga investitrë të vendeve balltike, fillimisht me Iute Credit dhe më pas me Kredo Finance. Këto kompani përgjithësisht shfrytëzojnë fondet e siguruara në këto platforma për të dhënë hua me interesa të larta tek konsumatorët fundorë.
Sidoqoftë, ky model biznesi ka ngjallur debate, madje Banka Qendrore e Kosovës këtë vit vendosi të hiqte licencën dhe të niste procedurat e likujdimit për kompanitë Iute Credit dhe Monego.