Sistemi bankar ka rreth 1.1 miliardë euro kredi të ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit. Kjo do të thotë se kredia është në një valutë të ndryshme prej asaj që huamarrësi siguron të ardhurat e tij. Përgjithësisht, bëhet fjalë për kredi të dhënë në valutë të huaj dhe sidomos në euro, ndërsa të ardhurat e huamarrësit janë në lekë.
Kredia e pambrojtur ndaj rrezikut të kursit të këmbimit sot përbën rreth një të katërtën e portofolit të kredisë së sistemit bankar dhe prej më shumë se një dekade është evidentuar si shqetësim nga Banka e Shqipërisë. Me qëllim frenimin e huadhënies së këtij lloji, banka qendrore iu ka vendosur bankave kërkesa më të larta për mbulimin e tyre me kapital.
Në fakt, tendenca e saj është në rënie. Në mesin e këtij viti, portofoli i kredisë i ekspozuar ndaj këtij rreziku ra me 3.5% krahasuar me një vit më parë, ndërsa në harkun e pesë viteve të fundit kredia e këtij lloji ka rënë me rreth 25%. Kjo ka ardhur kryesisht si rezultat i rënies së kreditimit në euro për individët me të ardhura në lekë. Por, ndërkohë, segmenti që bart rrezikun më të madh është biznesi, me 70% të totalit të kredisë së pambrojtur nga rreziku i kursit.
Qëllimi kryesor i dhënies së kredive në euro në sistemin bankar shqiptar është blerja e pasurive të paluajtshme, si nga bizneset, ashtu edhe nga individët. Normat më të ulëta të interesit dhe fakti që çmimet e shitjes kuotohen në euro historikisht i kanë shtyrë huamarrësit të preferojnë euron.
Në vitet e fundit, leku ka fituar terren, sidomos te kredia për blerje shtëpie nga individët. Ulja e interesave për monedhën vendase ka ndihmuar ndjeshëm në këtë drejtim. Edhe bankat vetë po inkurajojnë më shumë kredinë në lekë, me qëllim shmangien e rrezikut të tërthortë të kursit nga bilancet e tyre. Por, sërish, ky portofol ka një përmasë të konsiderueshme, sidomos mes bizneseve.
Luhatjet në kursin e këmbimit mund të ndikojnë ndjeshëm aftësinë e huamarrësve për të paguar kredinë, në rastin kur kjo e fundit është në një monedhë të ndryshme nga të ardhurat e tyre. Në dy vitet e fundit, leku është mbiçmuar ndjeshëm ndaj euros dhe kjo i ka favorizuar huamarrësit në monedhën europiane.
Por, Shqipëria adopton një regjim të lirë të kursit të këmbimit dhe ecuria e tij është e vështirë për t’u parashikuar. Një vlerësim i ri i euros kundrejt lekut do të rriste ndjeshëm kostot e individëve apo bizneseve me kredi në monedhën europiane. Për shembull, nëse euro do të shkonte sërish pranë nivelit të 140 lekëve, huamarrësit në euro me të ardhura në lekë do të paguanin rreth 14% më shumë se sot për këstin e kredisë.
