18 Janar

0 komente

Kosova jep sërish shembull, ndalon komisionet për pagesat kombëtare me kartë

Autor Ersuin Shehu

18 Janar, 2020


Është fakt i njohur që ekonomia shqiptare ka përdorim tejet të lartë të parasë cash dhe 96% e pagesave nga konsumatorët dhe bizneset shlyhen në para fizike. Me alternativat që ofron sot teknologjia, është domosdoshmëri nxitja e pagesave elektronike, që do të ulnin kostot e larta dhe risqet që vijnë nga përdorimi i madh i parasë cash.

Megjithatë, deri tani qasja e institucioneve shqiptare në drejtim të nxitjes së pagesave elektronike është shumë e plogësht.

Institucionet e vendeve fqinje po shfaqin një qëndrim më aktiv në këtë drejtim dhe shembulli më i ri vjen nga Kosova.  Banka Qendrore e Kosovës ka vendosur të ndalojë aplikimin e kostove për kryerjen e pagesave me kartë në pikat elektronike të shitjes ose terminale POS.

Duke filluar nga data 1 shkurt e këtij viti, bankave iu ndalohet të aplikojnë kosto shtesë, edhe në rastet kur blerjet me kartë bëhen në terminale POS të bankave të tjera. Rregullorja për instrumentet e pagesave elektronike, që do të hyjë në fuqi në fillim të muajit të ardhshëm, synon kështu të bëhet një nxitë si përdorimit të pagesave elektronike në vend.

Në vitet e fundit, Banka Qendrore e Kosovës po shfaqet një qasje mjaft aktive, si në funksionet e veta rregullatore, ashtu edhe në ato mbikëqyrëse. Vitin e kaluar, ky institucion iu hoqi licencat kompanisë së sigurimeve Insig dhe dy institucioneve të kredidhënies, Iute Credit dhe Monego.

Në fakt, pjesa më e madhe e bankave në Shqipëri nuk aplikojnë komisione për pagesat me kartë brenda territorit të Shqipërisë, qoftë edhe kur kryhen në terminalet POS të bankave të tjera. Megjithatë, në parim, qasja rregullatore e ndjekur nga Kosova tregon se kostot e lidhura me pagesat mund të jenë objekt rregullimi, në përputhje me praktikat më të mira të ndjekura nga Bashkimi Europian.

Në tërësi, kostot e mbajtjes dhe përdorimit të kartave në Shqipëri janë të konsiderueshme, sidomos kur flasim për kartat e kreditit. Këto përfshijnë komisione vjetore, komisione për mirëmbajtjen e llogarive të lidhura, komisione fikse për transaksione të kryera dhe mbi të gjitha norma mjaft të larta interesi.

Banka e Shqipërisë po përpiqet t’i adresojë problemet duke u bërë pjesë e projekteve për të përmirësuar infrastrukturën e pagesave dhe ulur kostot e tyre. Dy projektet më të rëndësishme janë ngritja e sistemit të instant payments që do të mundësojë pagesa të çastit dhe atij të card switch, për shlyerjen kombëtare të pagesave me kartë.

Megjithatë, shembulli kosovar tregon se bankat qendrore mund të marrin edhe masa më të drejtpërdrejta dhe eksplicite në rregullimin e tregut, me qëllim uljen e kostove të përdoruesve dhe nxitjen e pagesave elektronike

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes