2 Korrik

0 komente

Kosova do t’iu lejojë qytetarëve të tërheqin deri në 10% të fondeve nga llogaria e pensionit

Autor Ersuin Shehu

2 Korrik, 2020

kryesore

Kosova do t’iu lejojë qytetarëve të saj të tërheqin deri në 10% të fondit të llogarisë së tyre të pensionit. Qeveria, në bashkëpunim me Bankën Qendrore dhe Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) kanë ndërmarrë këtë nismë me qëllim të zbutjes së pasojave ekonomike të shkaktuara nga pandemia Covid 19.

Këtë javë institucionet e përfshira në këtë proces në Kosovë zhvilluan një takim, ku ranë dakord për ta lehtësuar këtë proces, duke u krijuar qytetarëve qasje më të lehtë në të dhënat e tyre dhe në shtjellimin e ecurisë së tërheqjes së kursimeve të tyre personale, pas ndryshimeve të nevojshme ligjore.

Kosova ka aktualisht një sistem pensionesh me tre kolona.

Kolona e parë është ajo që garanton pensionin bazik për të gjithë indivfidët që mbushin moshën e përcaktuar, kolonë e ngjashme me pensionin social në Shqipëri.

Kolona e dytë dhe kryesore konsiston në pensionet individuale bazuar mbi kursime (kontribute). Kjo shtyllë është detyrueshme dhe administrohet nga FKPK. Çdo kontribues ka një llogari individuale, ku derdhen kontributet e detyrueshme të punëdhënësit dhe punëmarrësit, si edhe kontribute shtesë vullnetare që individi mund t’i derdhë sipas dëshirës. Mandati i këtyre kursimeve është specifik: ato mund të përdoren vetëm për pension dhe nuk mund të tërhiqen përpara moshës së pensionit për asnjë arsye tjetër.

Por, në kushtet e krizës së Covid-19, qeveria ka vendosur t’iu krijojë mundësinë qytetarëve të tërheqin para kohe dhe pa penalitete një pjesë të këtyre kursimeve nga llogaria e tyre.

Sistemi i pensioneve në Kosovë parashikon gjithashtu edhe një kolonë e tretë, vullnetare, që përbëhet nga Fondet Plotësuese Pensionale të Punëdhënësit dhe Pensionet Plotësuese Individuale. Edhe kontributet në këto fonde, sipas ligjit, nuk mund të tërhiqen para moshës së pensionit, që aktualisht në Kosovë është 65 vjeç.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes