Përhapja e infeksionit nga koronavirusi po jep goditjen e vet edhe në kursin e këmbimit valutor. Ditën e martë leku humbi terren kundër të gjitha valutave, por shqetësimi kryesor për ekonominë shqiptare është kursi i këmbimit të euros.
Të martën monedha europiane u këmbye me 123.84 lekë, niveli më i lartë që nga tetori i vitit të kaluar. Mbiçmimi i euros është një rrjedhojë logjike e ndryshimit të raporteve mes kërkesës dhe ofertës për euro në tregun valutor.
Epidemia e Covid 19 ka paralizuar lëvizjen dhe turizmin, duke ndërprerë një nga burimet më të rëndësishme hyrëse të valutës në ekonominë shqiptare.
Frenimi i përgjithshëm i aktivitetit ekonomik mendohet se ka nisur të ndikojë edhe eksportin e mallrave.
Nga ana tjetër, epidemia dhe izolimi i shqiptarëve ka sjellë një rritje të ndjeshme të mallrave të konsumit. Duke qenë se pjesa më e madhe e mallrave të konsumit blihen jashtë vendit, kjo ka rritur nevojën për importe dhe, si pasojë, edhe për valutë të huaj.
Nënçmimi i monedhës rrezikon të jetë një nga pasojat më serioze të situatës së krijuar nga koronavirusi. Turizmi është paralizuar dhe shanset për rimëkëmbje para sezonit veror janë shumë të pakta. Kjo do ta privojë ekonominë shqiptare nga qindra milionë euro prurje valutore.
Ndikim të ngjashëm kriza e pandemisë pritet të ketë edhe në zërat e tjera të të ardhurave në bilancin e pagesave. Ekonomia europiane do të pësojë goditje të rëndë, çka pritet të ndikojë eksportet shqiptare, por edhe remitancat dhe investimet e huaja direkte.
Nënçmimi i monedhës do të rrisë çmimet e konsumit dhe do të ulë fuqinë blerëse, në një moment tejet të zymtë, kur dhjetëra mijë vende pune janë në rrezik.
Pasojat mund të jenë edhe më të rënda duke parë shkallën e lartë të euroizimit të ekonomisë. Një nga çështjet më sensitive është kredia në euro, për huamarrësit me të ardhura në lekë.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, portofoli i ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit është rreth 1.1 miliardë euro. 70% e vlerës së këtij portofoli i takon bizneseve.
Përfitues nga zhvlerësimi i lekut janë kryesisht ata që kanë të ardhura në euro, kryesisht sektori eksportues, por edhe mbajtësit e depozitave bankare në monedhën europiane. Sidoqoftë, përfitimet do të ishin shumë të vogla në raport me kostot e mëdha që do t’i shkaktonte ekonomisë një zhvlerësim i fortë i lekut.
Ekonomia shqiptare ka një deficit të lartë të llogarisë korrente, sa pothuajse 7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Nëse mbiçmimi i euros do të vazhdojë, kjo mund të çojë në një spirale të rrezikshme, që do të nxitet më shumë nga efekti prociklik i pritshmërive të publikut.
Shumë shqiptarë do të nxiten të blejnë euro, duke shtuar edhe më shumë kërkesën për monedhën europiane dhe duke nxitur më tej forcimin e saj.
Një fenomen i ngjashëm ndodhi dy vjet më parë, por në kahun e kundërt. Zhvlerësimi i shpejtë i euros krijoi pritshmëri te publiku se rënia do të thellohej edhe më shumë. Njerëzit nxituan të shisnin euro para se ajo të nënçmohej më tej, duke rritur kështu ofertën dhe duke e nxitur më tej rënien.
Vorbulla u ndal, në atë rast, nga Banka e Shqipërisë, që ndërhyri në tregun valutor për të blerë euro, me qëllim frenimin e mbiçmimit të mëtejshëm të lekut. Nëse tendenca e këtyre ditëve vazhdon, vetëm një ndërhyrje e bankës qendrore do ta qetësonte, të paktën përkohësisht tregun.
Por, kur bëhet fjalë për të frenuar nënçmimin e monedhës, në teori skenari është më i komplikuar, sepse edhe rezervat në valutë nuk janë të pafundme.
Fatmirësisht, vitet e fundit Banka e Shqipërisë ka ndjekur një program të rritjes së rezervës valutore, që, sipas statistikave më të fundit, ka arritur në rreth 3.4 miliardë euro. Kjo rezervë krijon hapësira për të frenuar përkohësisht rënien e lekut, përmes rritjes së ofertës së euros në treg.
Por, në afatin e gjatë, kursi do të përcaktohet nga ekuilibrat e reja që do të krijohen mes kërkesës dhe ofertës dhe shpërthimi i koronavirusit ka krijuar perspektiva të zymta për lekun.