14 Gusht

0 komente

Kontributin kryesor në rritjen e kredisë e dha…shtyrja e kësteve!

Autor Ersuin Shehu

14 Gusht, 2020

kryesore

Faktori kryesor që ka ndikuar në rritjen e portofolit të kredisë për tremujorin e dytë të vitit është pezullimi i pagesës së kredive ekzistuese. Sipas përllogaritjeve të Bankës së Shqipërisë, ky faktor ka dhënë 70% të kontributit në rritjen vjetore të kredisë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për sektorin privat është rritur me rreth 6.8% në tremujorin e dytë të vitit 2020, normë kjo e ngjashme me atë të shënuar një tremujor më parë.

Nëse pagesa e kësteve do të ishte kryer normalisht, me të njëjtin nivel të kredisë së re, atëherë rritja e portoflit do të kishte qenë afërsisht 2%.

Pagesa periodike e kredive normalisht ka një efekt në uljen e portofolit, për pjesën e paguar të principalit. Efekti është sidomos i ndjeshëm për kreditë afatshkurtra, që kanë cikël më të shpejtë amortizimi. Mospagesa gjatë muajve të fundit ka bërë që ky faktor të mos japë ndikim dhe portofoli ekzistues të amortizohet më pak.

Pavarësisht se efektin kryesor në rritjen e portoflit të kredisë duket se e ka dhënë moratorium i pagesave, edhe statistikat e kredisë së re kanë dhënë sinjale pozitive në muajin qershor. Vlera e kredive të reja të disbursuara arriti vlerën e pothuajse 26 miliardë lekëve, nga rreth 14.5 miliardë lekë që kishte qenë mesatarja mujore për pesë muajt e mëparshëm.

Kredia është nxitur nga skemat e garancisë sovrane, por edhe nga lehtësimi i kushteve monetare, i ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë. Këta faktorë kanë ndikuar veçanërisht në rritjen e kredisë për biznese dhe në përmirësimin e normave të rritjes së kredisë në lekë në 10.3%. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes