31 Gusht

0 komente

Koncesioni i dializës u ngrit me 7 mijë euro dhe u shit për 3 milionë euro

Autor Ersuin Shehu

31 Gusht, 2020

kryesore

Koncesioni i dializës u shit vitin e kaluar për rreth tre milionë euro, ndërkohë që ishte themeluar në vitin 2015 me vetëm një milionë lekë kapital (shtatë mijë euro me kursin e kohës). Sipas të dhënave të sfidabiznesi.net, shuma për të cilën DiaVita u shit te Diaverum International ishte afërsisht dy herë e gjysmë sa fitimi i akumuluar nga shoqëria koncesionare në tre vitet e para të aktivitetit, rreth 1.25 milionë euro.

Diavita u krijua në fund të vitit 2015, me qëllim marrjen e koncesionit të shërbimit të dializës, financuar nga qeveria shqiptare. Ortakët themelues të kompanisë ishin shoqëria Evita me 85% të aksioneve dhe Spitali Amerikan (American Hospital), me 15% të aksioneve. Kontrollues përfundimtar i koncesionit ishte shoqëria guackë e regjistruar në Hollandë, Arimo, pas të cilës besohet se qëndron Klodian Allajbeu, drejtor i përgjithshëm i Spitalit Amerikan.

Investimi i aksionerëve në kapitalin e shoqërisë DiaVita nuk ishte më shumë se një milionë lekë dhe ngritja e aktivitetit të shoqërisë u financua kryesisht përmes një kredie të marrë në Raiffeisen Bank. Vetëm vitin e kaluar, pak javë para shitjes, aksionerët vendosën të rrisnin kapitalin në rreth 157 milionë lekë, duke kapitalizuar fitimet e tre viteve të mëparshëm.

Në shtator 2019, kompania DiaVita u ble nga kompania suedeze Diaverum International AB, që i përket Diaverum Group, sipërmarrje e specializuar në ofrimin e shërbimeve mjekësore për patologjitë e veshkave.

Mbështetur në projeksionet e planit buxhetor afatmesëm, qeveria parashikon që në vitin 2022, numri i seancave të dializës të arrijë në 234 mijë, nga rreth 170 mijë që ishte në vitin 2019.

Rritja me 38% e seancave të dializës në harkun e tre viteve në vazhdim do të sjellë rritjen e shpenzimeve buxhetore dhe njëkohësisht të arkëtimeve për kompaninë koncesionare DiaVita.

Duke pasur parasysh se çmimi i përcaktuar për çdo seancë dialize në kontratë është 11,200 lekë (afërsisht 90 euro), mund të llogaritet se në vitin 2022 të ardhurat e koncesionarit nga ofrimi i këtij shërbimi do të arrijnë në rreth 21 milionë euro.

Në bilancin e fundit të disponueshëm, atë të vitit 2018, kompania DiaVita raportoi një xhiro në vlerën e 643 milionë lekëve ose 5.2 milionë eurove. Mbështetur në projeksionet e qeverisë shqiptare, të ardhurat e këtij koncesionari nga shërbimi i dializës praktikisht do të katërfishohen deri në 2022.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes