21 Maj

0 komente

Koncesionari i Aeroportit të Tiranës shënon një rekord të ri fitimi për 2019

Autor Ersuin Shehu

21 Maj, 2020

kryesore

Kompania koncesionare e Aeroportit të Tiranës ka shënuar një fitim të ri rekord për vitin 2019. Mbështetur në pasqyrat financiare të kompanisë, për vitin e kaluar Tirana International Airport (TIA) realizoi një fitim neto në vlerën e rreth 2.5 miliardë lekëve ose rreth 20 milionë eurove. Krahasuar me vitin 2018, fitimi përfundimtar neto i TIA është rritur me rreth 8%. Mbështetur në marrëveshjen koncesionare, shteti shqiptar përfiton 30% të fitimit vjetor neto që mund të shpërndahet, si tarifë koncesioni.  

Në fakt, fitimi para tatimit dhe fitimi neto pas tatimit mbi të ardhurat ka qenë në nivele pothuajse të njëjta me vitin 2018. Ndryshimin në rritjen e fitimit përfundimtar e ka bërë efekti i diferencave të konvertimit në monedhën raportuese. E thënë ndryshe, këtë vit kursi i këmbimit ka pasur një ndikim më të vogël negativ në rezultatin përfundimtar neto të TIA-s, të shprehur në lekë.

TIA ngelet një ndër kompanitë më fitimprurëse në ekonominë shqiptare. Norma e fitimit para taksave kundrejt xhiros vjetore ishte rreth 44%, nga rreth 48% që ishte në vitin 2018. Xhiroja vjetore e TIA-s për vitin e kaluar arriti në rreth 7 miliardë lekë, në rritje vjetore me gati 10%.

TIA ka qenë një ndër përfituesit kryesorë të rritjes prej shtatë vitesh radhazi të tregut të fluturimit të pasagjerëve në Shqipëri. Vitin e kaluar, nga Aeroporti i Tiranës udhëtuan mbi 3.3 milionë pasagjerë, 13% më shumë krahasuar me vitin 2018.

Monopoli i TIA-s për fluturimet ndërkombëtare ka qenë objekt i kritikave nga Autoriteti shqiptar i Konkurrencës, që ka rekomanduar heqjen e këtij monopoli dhe rishikimin e tarifave të shërbimit në këtë aeroport. Tarifat e larta të TIA vlerësohen si një faktor me ndikim të rëndësishëm në çmimet e biletave të kompanive ajrore që operojnë nga ky aeroport. Megjithë, kritikat nga Autoriteti i Konkurrencës, qeveria shqiptare e ka bërë veshin të shurdhër për problemin e tarifave të larta të TIA-s.

Kompania koncesionare TIA u ble në vitin 2016 nga kompania kineze China Everbright Limited, (nëpërmjet kompanisë së regjistruar në Singapor Real Fortress Private Limited), për 82.25 milionë euro. Që në tre vitet e para, ky investim ka rezultuar mjaft fitimprurës për blerësit kinezë, me fitime neto në vlerën e pothuajse 60 milionë euro. Deri tani, aksioneri i vetëm ka tërhequr rreth 23 milionë euro dividend, ndërsa fitimet e mbartura në bilanc kanë vlerën e rreth 37 milionë eurove.

Sidoqoftë, pas shumë vitesh që “noton” në para, ky pritet të jetë ndoshta viti më i keq i TIA që nga marrja e koncesionit të Aeroportit të Tiranës. Mbyllja e kufijve dhe ndërprerja e fluturimeve për shkak të pandemisë së Covid-19 priten të sjellin një goditje të fortë financiare për TIA.

Sipas marrëveshjes koncesionare me qeverinë shqiptare, të amenduar në vitin 2016, TIA do të ketë të drejta mbi Aeroportin e Tiranës deri në vitin 2027. Por, në rast se ndërkohë do të nisin fluturime tregtare ndërkombëtare nga një aeroport tjetër në Shqipëri përpara vitit 2025 (përveç atij të Kukësit) kompania mund të përfitojë zgjatje të afatit të koncesionit, sipas një skeme të përcaktuar në marrëveshje.

Sidoqoftë, gjasat që të kemi një aeroport të dytë funksional për fluturime ndërkombëtare deri në vitin 2025 janë të pakta. Negociatat me një konsorcium investitorësh turq për të ndërtuar një aeroport në Vlorë dështuan dhe qeveria shqiptare ka vendosur të hapë një garë ndërkombëtare për këtë qëllim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes