Grupi spanjoll i menaxhimit të strukturave akomoduese Meliá Hotels International ka njoftuar hapjen e hotelit të saj të katërt në Shqipëri. Bëhet fjalë për resortin Tropikal, në zonë e Plazhit të Durrësit, që do të marrë emrin Sol Durrës. Sol është një nga markat në përdorim të grupit Meliá.
Hoteli Sol Durrës, në zonën e Plepave, do të jetë një variant i rinovuar i resortit aktual Tropikal, duke shtuar dy ndërtesa të reja, të gjitha të rrethuara nga kopshte të gjera dhe pishina. Sipas njoftimit të Meliá, hoteli do të ketë 383 dhoma (përfshirë disa vila premium), një restorant, opsione të tjera ngrënie, një klub plazhi, një zonë Wellness, një palestër dhe disa dhoma takimesh. Zona e pishinës do të ketë një hapësirë të rezervuar vetëm për të rriturit, një tjetër për familjet dhe një zonë të veçantë për fëmijët. Objektivi i grupit spanjoll është që Sol Durrës të hapet vitin e ardhshëm.
Më herët, Meliá ka njoftuar edhe hapjen e tre hoteleve të tjera në Shqipëri. I pari do të vendoset në zonën e Gjirit të Lalëzit, si pjesë e kompleksit San Petro, investim i kompanisë shqiptare Concord Investment. Hoteli i dytë, Meliá Tirana do të vendoset në Eye of Tirana, një ndërtim i ri që po ngrihet sërish nga Concord Investment në qendër të Tiranës, mes fillimit të Rrugës së Kavajës dhe Rrugës së Durrësit.
Një hotel i katërt, nën markën INNSiDE, do të hapet sërish në Durrës. Me projektet e deritanishme të prezantuara zyrtarisht, Meliá është grupi ndërkombëtar i menaxhimit të hoteleve me praninë më të gjerë në Shqipëri. Në vitet e fundit, investitorët shqiptarë po tentojnë të tërheqin kompanitë ndërkombëtare me përvojë të menaxhimit të strukturave akomoduese, si një mënyrë për të zhvilluar bizneset e tyre në turizëm, por edhe si kusht për të përfituar nga incentivat ligjore dhe fiskale për hotelet me 4 dhe 5 yje, të vendosura nga qeveria shqiptare. Deri tani, në Shqipëri operojnë hotele të markave Hilton, Maritime dhe Rogner.
Grupi Kastrati njoftoi në 2019 marrëveshjen me rrjetin ndërkombëtar Hyatt për menaxhimin e kastrati Hotel &Towers (ish-Sheraton Tirana), por deri tani, kjo marrëveshje nuk është bërë operative. Grupi Balfin ka njoftuar gjithashtu marrëveshjen me grupin Accor për hapjen e hotelit nën markën MGallery në kompleksin Green Coast, në Palasë. Një tjetër grup ndërkombëtar që pritet të hyjë në Shqipëri është mariott, që do të menaxhojë një hotel të vendosur në kullën e stadiumit Air Albania (Arena Kombëtare).