8 Korrik

0 komente

Kompania e auditimit ngre shqetësim për të ardhmen e Insig

Autor Ersuin Shehu

8 Korrik, 2020

kryesore

Që nga privatizimi i vitit 2016, punët për kompaninë e sigurimeve Insig nuk po shkojnë shumë mbarë. Një vit më parë, degës së Kosovës iu hoq licenca nga Banka Qendore e vendit fqinj, ndërsa edhe vijimësia e biznesit në Shqipëri nuk është shumë e sigurtë.

Në raportin për pasqyrat financiare të vitit 2019, kompania audituese shpreh shqetësim serioz se “ekziston një pasiguri materiale që mund të shkaktojë dyshime të rëndësishme mbi aftësinë e Insig për të vazhduar, sipas parimit të vijimësisë”.

Në opinionin e kompanisë së auditit, Grant Thornton, ka një “çarçaf” me rezerva, të lidhura sidomos me trajtimin në bilanc të marrëdhënieve me degën e Kosovës, por edhe me refuzimin e kompanisë për të zbatuar vendimet e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF).

Në prill të vitit të kaluar, Banka Qendrore e Kosovës i hoqi licencën Insig- dega Kosovë dhe hapi procedurën e likujdimit të detyrueshëm të kompanisë.

Sipas auditit, Insig nuk ka përfshirë në llogaritjen e treguesve rregullatorë humbje të akumuluara në vlerën e 1.35 miliardë lekëve, që në pjesën më të madhe i takojnë degës së Kosovës. Marrëdhënia me degën e Kosovës krijon pasiguri deri në përfundimin e procedurës së likujdimit.

Një tjetër faktor rreziku i nënvizuar nga Grant Thornton është refuzimi i Insig për të zbatuar masat rregullatore të AMF-së. Në fund të vitit 2017, AMF kishte urdhëruar Insig të ndalonte transaksionet me palët e lidhura, përfshi aksionerët dhe punonjësit, dhe të hartonte një plan për të përmirësuar treguesit rregullatorë.

Por, për vitin 2019, Insig ka vazhduar të rrisë huatë për aksionerin e saj të vetëm, Eurosig, duke e çuar ekspozimin total në 643 milionë lekë. Kjo shumë është pothuajse sa kapitali themeltar i Insig. Gjithashtu, në shkelje të urdhërit të AMF-së, Insig ka dhënë rreth 102 milionë lekë parapagime ndaj punonjësve.

Mbështetur në pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve të publikuar në raportin vjetor, Insig e mbylli vitin 2019 me një fitim neto prej 83 milionë lekësh, në rritje me 175% krahasuar me vitin 2018.

Grupi Eurosig-Insig prej vitesh është në një betejë me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare lidhur me nivelin e kapitalizimit. AMF i shpalli dy kompanitë të nënkapitalizuara dhe iu kërkoi marrjen e masave korigjuese, por Eurosig e çoi çështjen në Gjykatën Administrative dhe fitoi në të dy shkallët e gjykimit. AMF tashmë ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë.

Ligji “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit” parashikon se niveli minimal i kapitalit ose aftësisë paguese të kompanive të sigurimit duhet të jetë 370 milionë lekë. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga AMF, ky treguesi në rastin e Insig është negativ në vlerën e pothuajse 1.7 miliardë lekëve, çka nënkupton një pamjaftueshmëri të thellë në kapitalin e kërkuar rregullator.

Megjithatë, në një reagim për sfidabiznesi.net, kompania Insig bën të ditur se të dhënat e AMF për këtë tregues nuk janë të përditësuara. Sipas Insig, në 31 dhjetor 2019 kapitali rregullator ose treguesi i aftësisë paguese është 934.3 milionë lekë. Kjo shumë është 564 milionë lekë më shumë se kufiri minimal i kërkuar nga ligji organik i sektorit, si edhe nga aktet rregullatore të AMF-së.

Në vitin 2016, Eurosig fitoi garën për privatizimin e Insig, me një ofertë prej 2.2 miliardë lekësh ose rreth 16 milionë euro me kursin e atëhershëm. Megjithatë, një vit pas privatizimit, Eurosig vendosi ta shesë aktivitetin e sigurimit të jetës. 90% e aksioneve në shoqërinë Insig Jetë u blenë nga Samir Mane dhe Shefqet Kastrati për 3.5 milionë euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes