Kompania më e madhe kineze e pagesave, Union Pay, po zgjerohet në tregun serb dhe tashmë kartat me logon e saj në vend do të pranohen edhe në rrjetin e bankës OTP Serbi. Filiali serb i grupit bankar hungarez do t’iu krijojë mundësinë mbajtësve të kartave me logon e Union Pay të tërheqin para në 500 bankomate në të gjithë Serbinë.
UnionPay International hyri zyrtarisht në tregun serb në muajin qershor dhe partneri i parë ishte Banka Postare e Kursimeve (Banka Postanska Stedionica), bankë me kapital shtëetëror.
Së shpejti, pritet që kartat e UnionPay të pranohen edhe në rrjetin e bankave të tjera të rëndësishme në Serbi, si UniCredit Bank Serbia, Komercijalna Banka dhe Raiffeisen Bank. Kjo pritet të mundësojë përdorimin e kartave të gjigandit kinez në rreth 10 mijë pika elektronike të shitjes në Serbi.
Serbia mund të quhet në kuptimin e plotë fjalës porta përmes të cilës Kina po përpiqet të hyjë në dyert e Ballkanit, përmes projektit të saj ekonomiko-politik “Një Brez, një Rrugë”. Në vitin 2017, Serbia u bë vendi i parë që hoqi vizat për shtetasti kinezë dhe qysh atëherë numri i turistëve nga ky vend është rritur me ritme të larta. Rritja e turizmit dhe e këmbimeve ekonomike e tregtare duket se janë një potencial për të rritur pagesat në tregun serb me kartat e UnionPay.
UnionPay International është filial i kompanisë kineze China UnionPay. Falë dominimit në tregun kinez, UnionPay është tashmë operatori më i madh global për nga numri i kartave të lëshuara, me pjesë tregu më të madhe se Visa dhe MasterCard të marra së bashku. Vlerësohet se nga rreth 16 miliardë karta pagesash në Botë, 45% e tyre janë UnionPay. Megjithatë, jashtë tregut kinez pesha e UnionPay ngelet modeste, ndonëse kartat e saj pranohen në 180 vende të Botës, mes të cilave 39 shtete të Europës.
Në Ballkan, UnionPay është e pranishme në tregjet e Rumanisë, Bullgarisë, Sllovenisë, Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
Deri tani, UnionPay nuk ka shfaqur qëllim për të hyrë në tregun shqiptar. Tregu i pagesave në Shqipëri ngelet relativisht i vogël dhe i dominuar nga veprimet cash në bankomate.
Në mesin e këtij viti, sistemi bankar shqiptar raportonte rreth 1.26 milionë karta aktive. Tregu dominohet pothuajse tërësisht nga kartat Visa dhe MasterCard, që përbëjnë më shumë se 98% të totalit. Pjesa e mbetur janë karta American Express dhe karta lokale.