Shefqet Kastrati është tashmë pronar i vetëm i kompanisë së sigurimeve Albsig. Kastrati ka blerë 16% të kuotave nga aksionerët e pakicës të kompanisë, Lokol Xhaja, Natasha Dhoqina dhe Frida Muçmata. Në total, Shefqet Kastrati ka paguar 1.2 milionë euro për aksionet e ortakëve të tjerë.
Aksionerët e mësipërm, në fakt, dyshohet se kanë qenë thjesht mbulesë e personave të tjerë me të cilat kanë lidhje familjare dhe që kanë qenë prej vitesh aksionerë në kompaninë Albsig.
Lokol Xhaja është kunati i ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Ky shtetas është prej vitesh rezident në Gjermani dhe nuk rezulton të ketë aktivitete të tjera në Shqipëri. Besohet se aksionet e tij i takonin familjarëve të tij në Shqipëri, mes të cilëve edhe ish-gjyqtarja Ariana Fullani, motra e tij. Lokol Xhaja zyrtarisht mbante 10% të aksioneve në Albsig, që u shitën te Kastrati për 800 mijë euro.
Frida Muçmata është bashkëshortja e ish-deputetit dhe prokurorit Vexhi Muçmata, që, veç të tjerash, ka edhe marrëdhënie krushqie me Shefqet Kastratin. Muçmata mbante 4% të aksioneve, për të cilat ka përfituar 250 mijë euro.
Natasha Dhoqina ka qenë shefe finance në Albsig për shumë vite dhe zotëronte 2% të kompanisë, për të cilat ka marrë 150 mijë euro.
Albsig është kompania e dytë më e madhe për nga vlera e primeve të shkruara bruto në tregun e sigurimeve. Për katër muajt e parë të këtij viti, Albsig raportoi 878 milionë lekë prime ose 17.7% e totalit të tregut për periudhën.
Albsig është kompania që ka peshën më të lartë të sigurimeve vullnetare në strukturën e primeve, me mbi 60% të totalit. Një pjesë e mirë e të ardhurave të Albisg vijnë prej kompanive të lidhura të grupit të biznesit, por edhe nga kontratat me institucionet apo firmat shtetërore.