11 Maj

0 komente

Kapitalizimi i sistemit bankar arrin nivelin rekord 19.1%

Autor Ersuin Shehu

11 Maj, 2020

kryesore

Kapitalizimi i sistemit bankar ka arritur një nivel rekord në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit mars raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në 19.1%, niveli më i lartë i regjistruar në serinë e statistikave të viteve të fundit të bankës qendrore. Ky tregues shpreh raportin mes kapitalit rregullator dhe aktiveve të ponderuara me rrezik të sistemit bankar. Rritja në tremujorin e parë ka ardhur falë shtimit të kapitalit rregullator me një ritëm më të lartë se aktivet me rrezik.

Rritja e kapitalizimit të bankave lidhet edhe me rezultatet e mira financiare, por faktori me ndikimin kryesor ka qenë forcimi i kërkesave rregullatore të Bankës së Shqipërisë. Duke filluar nga muaji mars, kanë hyrë në fuqi shtesat e para makroprudenciale të kapitalit.

Këto shtesa kanë si qëllim të shtojnë aftësinë përthithëse ndaj goditjeve eventuale në të ardhmen, sidomos për bankat me rëndësi sistemike. Shtesat makroprudenciale iu mbivendosen kërkesave standarde të kapitalizimit që aplikohen për bankat tregtare. Shtesat makroprudenciale ndahen në katër kategori, ku një pjesë do të jenë fikse, ndërsa një pjesë do të jenë proporcionale me rëndësinë e bankës dhe me ritmet e huadhënies.

Shtesa e parë, që aplikohet nga marsi i këtij viti, është shtesa konservuese e kapitalit dhe do të jetë e detyrueshme për të gjitha bankat, pavarësisht nga madhësia e tyre. Shtesa konservuese do të jetë me 0.5% në vit deri në në arritjen e një rritjeje maksimale prej 2.5% në vitin 2024.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Shtesa tjetër ka përfshirë vetëm një grup të veçantë bankash, ato me rëndësi sistemike. Banka e Shqipërisë ka përcaktuar pesë banka me rëndësi sistemike, që janë njëkohësisht edhe më të mëdhatë në vend, BKT, Credins, Raiffeisen, Intesa Sanpaolo dhe OTP. Për secilën prej tyre është përcaktuar një shtesë kapitali në raport me rëndësinë sistemike specifike të secilës.

Veç rritjes së treguesit bazë, atij të mjaftueshmërisë së kapitalit, edhe tregues të tjerë rregullatorë dëshmojnë qartë shëndoshjen e bilanceve të bankave në vitet e fundit. Raporti i kredive me probleme ndaj totalit të portofolit ka zbritur tashmë në 8.2%, nga 23.8% që ishte pesë vjet më parë. Ndërsa raporti i kredive me probleme kundrejt kapitalit rregullator të sistemit ka zbritur në 11.3%, nga pothuajse 38% që ishte pesë vit më parë.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Kriza e rëndë ekonomike që solli epidemia e Covid-19 pritet të japë pasojat e saj edhe në sektorin bankar gjatë tremujorëve të ardhshëm. Megjithatë, lajmi i mirë është se kjo kriza u shfaq pasi sistemi ka absorbuar pasojat e krizës së gjatë financiare dhe gjendet në pozita të mirë përfitueshmërie dhe kapitalizimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes