27 Mars

0 komente

Jemi më keq nga sa mendonim. Ekonomia ra në tremujorin e fundit 2019.

Autor Ersuin Shehu

27 Mars, 2020


Tërmeti i nëntorit dhe përfundimi i projekteve të mëdha në infrastrukturë e kanë goditur ekonominë edhe më shumë nga sa mendohej. Instat bëri të ditur të premten se ekonomia shqiptare ra me 0.15% për tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

Rënia e tremujorit të fundit e ka ulur rritjen ekonomike vjetore ndjeshëm poshtë parashikimeve. Sipas vlerësimeve paraprake të mbështetura në raportet tremujore, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 2.21% gjatë vitit 2019.

Këto shifra përcjellin akoma më shumë pesimizëm rreth perspektivave të ëktij viti, në një kohë kur e gjithë ekonomia botërore është e mbërthyer nga ankthi i lidhur me përhapjen e COVID 19.

Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, ecuria e prodhimit kombëtar u përcaktua sidomos nga rënia e thellë e sektorit të ndërtimit. Ky sektor ra me gati 14.8% krahasuar me një vit më parë, ndërsa dha një kontribut negativ me rreth 1.7% në ndryshimin vjetor të prodhimit të brendshëm bruto.

Bujqësia gjithashtu shfaqi një ecuri negative, me një rënie të prodhimit me 1.6% dhe me një kontribut negativ prej 0.2 pikë përqindje. Kontribut edhe më të lartë negativ dhanë sektori i argëtimit dhe ai shërbimeve administrative dhe profesionale, që së bashku kontribuan negativisht me mbi 0.8 pikë përqindje.

Rënia e këtyre sektorëve u balancua pjesërisht nga ecuria e mirë e sektorëve të industrisë dhe tregtisë.

Aktivitetet prodhuese, që përfshijnë industrinë nxjerrëse, atë përpunuese dhe energjinë regjistruan një rritje të prodhimit me 8.8% dhe kontribuan me më shumë se 1 pikë përqindje në rritjen ekonomike.

Në tremujorin e fundit, brenda këtij sektori është amortizuar efekti i ndryshimit të bazës krahasuese në prodhimin e energjisë elektrike.

Ecuri pozitive shfaqi edhe sektori më i madh i ekonomisë, tregtia, që u rrit me 2.5% dhe kontriboi me 0.4 pikë përqindje në rritjen ekonomike.

Sipas komponentëve të kërkesës, rënia e prodhimit të tremujorin e fundit u përcaktua sidomos nga rënia drastike e investimeve, me 12% krahasuar me një vit më parë. Kontributi pozitiv, por në rënie krahasuar me tremujorët e mëparshëm dha konsumi privat, me një rritje 1.6%, ndërsa konsumi i sektorit publik u rrit me 2.6%.

Të dhënat e tremujorit të fundit 2019 tregojnë se ndoshta ekonomia shqiptare është në një moment më të keq nga sa mendohej. Pandemia e COVID 19 do t’i përkeqësojë më tej gjërat dhe kjo vlen për gjithë ekonominë botërore.

Vetëm një program masiv shpenzimesh publike mund të ndihmojë në kufizimin e pasojave të pandemisë në ekonomi. Qeveria shqiptare duhet të marrë përsipër një paketë shumë më të gjerë se ajo që prezantoi javën e kaluar, për të shpëtuar ekonominë nga zhytja në recesion.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes