13 Qershor

0 komente

Ja pse Shqipëria është një terren i vështirë për fintech. Jemi të fundit në rajon në përdorimin e pagesave elektronike.

Autor Ersuin Shehu

13 Qershor, 2020

kryesore

Shqipëria është vendi më i prapambetur në Europë dhe në Rajon në përdorimin e instrumenteve elektronike të pagesave. Një studim i përbashkët mes Bankës Botërore dhe Universitetit të Cambridge tregon se vetëm 28.8% e shqiptarëve kanë kryer ose kanë përfituar një pagesë me kartë në 12 muajt e fundit. Kjo shifër është ndjeshëm më e ulët krahasuar me gjithë vendet e tjera të rajonit.

Për vendet e tjera, ky tregues fillon nga rreth 39% për Kosovën, deri në mbi 66% për Serbinë. Për krahasim, në Eurozonë mesatarisht 92.5% e individëve kanë përdorur të paktën një herë pagesat dixhitale në 12 muajt e fundit para anketimit.

Prapambetja relative e Shqipërisë fillon nga përdorimi i instrumentit më bazik të pagesave elektronike, kartës bankare. Studimi tregon se 7.7% e shqiptarëve kanë përdorur një kartë bankare për pagesë, ndërsa në vendet e tjera kjo përqindje varion nga 16.5% për Kosovën, deri në 39.4% për Serbinë.

Edhe në zotërimin e kartës së kreditit, një instrument pagese i konceptuar kryesisht për pagesa jo-cash, Shqipëria është e fundit në renditjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Vetëm 8% e shqiptarëve zotërojnë një kartë krediti, kundrejt 9.7% të boshnjakëve, 10.4% të kosovarëve, 16.7% të malazezëve, 17.4% të maqedonasve dhe 17.6% të serbëve. Në Eurozonë, pothuajse 45% e individëve zotërojnë një kartë krediti.

Përdorimi i instrumenteve të pagesave elektronike në vendet e Ballkanit Perëndimor

ShtetiKanë kryer një pagesë dixhitale (%)Kanë kryer një pagesë me kartë (%)Zotërojnë kartë krediti (%)Zotërojnë kartë debiti (%)
Shqipëri28.87.7826.9
Kosovë38.616.510.437.4
Bosnje-Hercegovinë50.325.89.740.4
Maqedoni e Veriut65.836.817.453.3
Mali i Zi59.83116.736.4
Serbi66.139.417.659.7
Eurozonë92.58244.886.7
Burimi: Fintech Innovation in the Western Balkans

Shifrat e mësipërme tregojnë se pse Shqipëria ngelet një treg i vështirë për fintech, por, nga ana tjetër dëshmojnë edhe potenciale të mëdha për rritje të biznesit të pagesave dhe më gjerësisht të shërbimeve financiare të lidhura me teknologjinë.

Në vitet e fundit, Banka e Shqipërisë po shton përpjekjet për nxitjen e shërbimeve bashkëkohore të pagesave. Ligji i ri për shërbimet e pagesave përshtat direktivën më të re të Bashkimit Europian për këtë qëllim (PSD 2) u miratua nga Parlamenti në fund të muajit prill, por refuzimi i Presidentit për ta dekretuar mund ta vonojë hyrjen në fuqi të ligjit.

Ligji i ri do të sjellë edhe në Shqipëri konceptin e open banking (bankingut të hapur), çka do t’iu japë akses institucioneve financiare të pagesave në të dhënat e llogarive bankare për qëllimet e kryerjeve të transaksioneve të pagesave të klientëve të tyre.

Gjithashtu, ai parashikon ofrimin e shërbimeve të informimit mbi llogarinë dhe të inicimit të pagesave, dy koncepte të reja për tregun financiar shqiptar.

Në muajin qershor, Banka e Shqipërisë vendosi heqjen e komisioneve bankare për të gjitha pagesat kombëtare elektronike në vlerë të vogël, deri në 20 mijë lekë. Gjithashtu, për pagesat elektronike mbi 20 mijë lekë, bankat duhet të aplikojnë komisione të paktën 50% më të ulëta krahasuar me transfertat joelektronike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes