Sistemi bankar shqiptar ka mbështetur në përmasa të mëdha koncesionet për ndërtimin e veprave të reja energjetike. Statistikat tregojnë se kredia për ndërmarrjet private të sektorit energjetik në fund të muajit prill ishte 27 miliardë lekë ose rreth 215 milionë euro.
Një dekadë më parë, financimi i këtyre projekteve u prit me një lloj skepticizmi nga sistemi bankar dhe problemi kryesor ishte mungesa e garancive të mjaftueshme nga investitorët. Megjithatë, kjo pengesë u zgjidh gradualisht përmes vendosjes së kolateralit mbi asetet e HEC-eve, (sipas një formule ku kompania koncesionare duhet të merrte një miratim paraprak nga Enti Rregullator i Energjisë), përmes pengut mbi makineritë e pajisjet, mbi të ardhurat nga shitja e energjisë dhe mbi aksionet e kompanive.
Banka të ndryshme kanë ndjekur qasje të ndryshme ndaj sektorit energjetik. Më aktivet në financimin e projekteve të reja në energjetikë ishin Societe Generale (sot OTP Bank) dhe Intesa Sanpaolo, që kanë financuar së bashku të paktën 90 milionë euro për ndërtimin e projekteve koncesionare të këtij lloji.
Sidoqoftë, financimet e sektorit bankar shqiptar përbëjnë një pakicë kundrejt totalit të investimit të kryer në veprat e reja energjetike në vitet e fundit. Kompanitë që zotërohen nga investitorët e mëdhenj të huaj, si Devoll Hydropower ose Energji Ashta i kanë financuar investimet me kapitalet e tyre.
Ndërkohë, një tjetër investim i madh, ai i kompanisë turke Ayen Energy për ndërtimin e disa HEC-eve në Mirditë është financuar me një kredi prej 178 milionë eurosh nga banka turke İşbank. Disa projekte janë mbështetur gjithashtu me financime edhe nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Disa prej financimeve bankare për ndërtimin e HEC-eve
Investitori | Banka financuese | Shuma |
Euron Energy | OTP Bank | 7.9 milionë euro |
Energal | OTP Bank | 3.5 milionë euro |
Hydro Seta | OTP Bak | 8 milionë euro |
Denas Power | OTP Bank | 7 milionë euro |
Alb-Energy | OTP Bank | 4.6 milionë euro |
HEC-i Dragostunje | OTP Bank | 433 milionë lekë |
Teodori 2003 | OTP Bank | 4 milionë euro |
HydroBorsh | OTP Bank | 335 milionë lekë |
Erdat Lura | Intesa Sanpaolo | 13 milionë euro |
Gjo-Spa Power | Intesa Sanpaolo | 7 milionë euro |
Lengarica & Energy | Intesa Sanpaolo | 12.3 milionë euro |
Përparimi SK | Intesa Sanpaolo | 1 milionë euro |
HEC Lashkiza | Intesa Sanpaolo | 4 milionë euro |
Sa’Ga Mat | Intesa Sanpaolo | 2.5 milionë euro |
Hydro Power Plant of Korça | Intesa Sanpaolo | 5.2 milionë euro |
Kisi-Bio-Energji | Raiffeisen | 333 milionë lekë |
HEC-i Tërvolit | Raiffeisen | 333 milionë lekë |
M.T.C. Energy | Raiffeisen | 275 milionë lekë |
Power-Elektrik-Slabinje | Raiffeisen | 700 milionë lekë |
Diteko | BKT | 2.1 miliardë lekë |
Gjoka Konstruksion – Energji | BKT | 280 milionë lekë |
Truen | BKT | 350 milionë lekë |
Liria Energji | BKT | 130 milionë lekë |
Hidroalbania Energji | Credins Bank | 615 milionë lekë |
Hidroalbania Energji | Credins Bank | 3.5 milionë euro |
Bistrica 3 Energji | Credins Bank | 497 milionë lekë |
Rej Energy | Union Bank | 1 milionë euro |
HEC Treska | Union Bank | 280 milionë lekë |
Mesopotam Energy | ProCredit Bank | 1 milionë euro |
EnRel Hydro | Fibank | 500 mijë euro |