Me vendimin e miratimit të garancisë shtetërore për të ndihmuar bizneset e prekura nga COVID 19, qeveria shqiptare ka miratuar njëkohësisht edhe ndarjen e fondit të garancisë sipas bankave. Në marrëveshje janë përfshirë të 12 bankat tregtare të licencuara në Shqipëri dhe ndarja është bërë në përpjestim me pjesën e tregut të kredisë që mban secila bankë.
Mbi këtë bazë, përfitueset kryesore të fondit të garancisë do të jenë Credins Bank, BKT dhe Raiffeisen Bank. Së bashku, këtyre bankave iu është alokuar afërsisht 53% e fondit të garancisë prej 11 miliardë lekësh.
“Pjesën e luanit” e ka marrë Credins Bank me 2 miliardë lekë, ndërsa BKT dhe Raiffeisen kanë përfituar nga 1.9 miliardë lekë secila. Vijon OTP me 1.1 miliardë lekë, Intesa Sanpaolo me 900 milionë lekë, Alpha Bank me 700 milionë lekë dhe Union Bank e Tirana bank me nga 600 milionë lekë secila.
Pavarësisht ndarjes fillestare, pas 60 ditësh Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka të drejtë të rialokojë shumën përkatëse nga bankat që nuk e kanë shfrytëzuar tek ato që mund ta kenë shfryëtzuar plotësisht fondin e tyre.
Mbështetur në Vendimin e Këshillit të Ministrave, huatë e garantuara mund të përfitohen nga ndërmarrjet e prekura nga masat për frenimin e epidemisë COVID 19, sipas kategorive të miratuara nga qeveria shqiptare.
Huatë duhet të përdoren vetëm për shlyerjen e pagave të punonjësve dhe shuma maksimale për çdo ndërmarrje përfituese do të jetë sa trefishi i fondit mujor të pagave të deklaruara pranë organeve tatimore.
Huatë mund të kenë një interes maksimal prej 2.85% dhe një maturitet deri në dy vjet, nga të cilët tre muaj do të jenë grace period (paguhen vetëm interesat). Në çdo rast, qeveria ka marrë përsipër të garantojë vetëm principalin e kredisë, por jo interesat, të cilat banka mund t’i kërkojë vetëm nga bizneset kredimarrëse.
Deri tani, ekspertët dhe përfaqësuesit e bizneseve janë shprehur skeptikë rreth skemës së formuluar nga qeveria shqiptare dhe kryesisht rreth faktit që kreditë mund të përdoren vetëm për pagat e punonjësve.
Është e kuptueshme që një biznes i mbyllur për shkak të kufizimeve të vendosura nga qeveria nuk mund të marrë kredi për të paguar pagat e punonjësve që qëndrojnë në shtëpi. Rrjedhimisht, mendohet se sipërmarrjet që do ta shfrytëzojnë këtë mekanizëm, do të kërkojnë marifete për t’i kanalizuar paratë për nevoja të tjera të biznesit të tyre.