Ulja e kredive me probleme dhe mbyllja e procesit të shitblerjeve e ka zhvendosur sistemin bankar në ujëra më të qeta. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, 11 prej bankave e mbyllën 9-mujorin e këtij viti me fitim dhe vetëm një me humbje. Rezultati i përbashkët i 12 bankave të sistemit ishte pozitiv në vlerën e 12.2 miliardë lekëve, ndërsa kthimi mesatar nga kapitali në vlera dyshifrore, me 10.67%.
Në vlerë, fitimet më të larta vazhdon t’i regjistrojë banka më e madhe në treg, BKT. Për 9-mujorin e këtij viti, BKT fitoi 4.9 miliardë lekë. E dyta renditet Raiffeisen, me rreth 2.8 miliardë lekë, e ndjekur nga Intesa Sanpaolo, me afërsisht 1.6 miliardë lekë.
Fitimet më të larta në sistemin bankar vazhdojnë t’i arrijnë bankat që, veç përmasave të mëdha, zotërojnë një portofol të rëndësishëm investimesh në instrumente me rrezik të ulët. Titujt, që në pjesën më të madhe i takojnë qeverisë shqiptare, mundësojnë kthime të kënaqshme dhe iu sigurojnë këtyre bankave një bazë të madhe të ardhurash prej tyre.
Surpriza në renditjen e fitimeve të sistemit është banka OTP Albania, që për herë të parë ka siguruar fitime 10-shifrore, me mbi 1.2 miliardë lekë. Epoka hungareze ka nisur me rezultatet edhe më të mira për ish-bankën Societe Generale, një prej të paktave banka me kapital të huaj që u rrit gjatë viteve të krizës.
Banka | Rezultati financiar (mln lekë) |
BKT | 4 948 |
Raiffeisen | 2 760 |
Intesa Sanpaolo | 1 565 |
OTP | 1 226 |
Union Bank | 540 |
Tirana Bank | 357 |
Fibank | 326 |
Credins Bank | 293 |
Alpha Bank | 289 |
ABI Bank | 277 |
UBA | 51 |
ProCredit | -436 |
Po të shohim rezultatet në terma të kthimit nga kapitali, përfitueshmërinë më të lartë e ka arritur pikërisht OTP, me 22.54%. Me këtë rezultat, banka me kapital hungarez ka lënë prapa gjigandët e sistemit, por nuk është e vetmja. Banka me kthimin e dytë më të lartë nga kapitali është Union Bank, me 16.62%.
Vijojnë dy banka më të mëdha, BKT, me 15.82% dhe Raiffeisen me 14.11%. Të tjera banka me kthim dyshifror nga kapitali janë Fibank me 12.92% dhe Intesa Sanpaolo me 10.36%.
Bankat e tjera kanë arritur kthime në nivele njëshifore, poshtë pragut të 5%. Edhe në grupin e fundit ka disa të dhëna interesante. Banka më e vogël në treg, UBA, për këtë vit ka një kthim nga kapitali më të lartë se banka të përmasave disa herë më të mëdha, si Tirana Bank, Alpha Bank apo ABI Bank. Ndërkohë, banka e tretë më e madhe në treg, Credins Bank, ka kthimin më të ulët nga kapitali, mes bankave fitimprurëse.
E vetmja bankë që këtë vit raport rezultat me humbje për 9-mujorin është ProCredit Bank, në vlerën e 435 milionë lekëve, ose me një kthim negativ nga kapitali për 18.21%.
Banka | Kthimi nga kapitali |
OTP | 22.54% |
Union Bank | 16.62% |
BKT | 15.82% |
Raiffeisen | 14.11% |
Fibank | 12.92% |
Intesa Sanpaolo | 10.36% |
UBA | 4.93% |
Alpha Bank | 4.42% |
Tirana Bank | 4.29% |
ABI Bank | 4.12% |
Credins Bank | 2.43% |
ProCredit | -18.21% |