Kompania estoneze e teknologjisë financiare IuteCredit po hedh hapat e para të konvergjencës drejt tregut bankar. IuteCredit njoftoi këtë javë se blerjen e 9.976% të aksioneve në bankën moldave Energbank për 1.7 milionë euro. Ky operacion është hapi i parë zyrtar drejt blerjes së paketës kontrolluese të aksioneve në bankën moldave.
Në tetor, Autoriteti i Konkurrencës i Moldavisë miratoi marrjen e 59.39% të aksioneve në Energbank nga IuteCredit, por marrëveshja është ende në pritje të miratimit zyrtar nga banka qendrore, por drejtuesit e IuteCredit u shprehën se e kanë marrë dritën e gjelbër nga ky institucion.
“Ne kemi marrë miratimin nga banka qendrore moldave për të blerë Energbank. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të arritur objektivi ynë i dëshiruar,” tha CEO i IuteCredit Europe, Tarmo Sild.
Përveç blerjes së bankës, IuteCredit planifikon të zgjerojë portofolin e shërbimeve drejt pagesave dixhitale në tregjet ku vepron. IuteCredit ka aplikuar për licencë si operator i parasë elektronike edhe në Shqipëri, me qëllim ofrimin e shërbimeve të pagesave.
“Shumica e të ardhurave aktuale vijnë nga huatë, por në të ardhmen pagesat dixhitale mund të përbëjnë gjysmën e portofolit të kompanisë,” shtoi Sild.
Themeluar në vitin 2008, IuteCredit është e specializuar në kreditë konsumatore dhe u shërben klientëve në Moldavi, Shqipëri. Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Bosnja dhe Hercegovina.
Banka moldave Banca Comerciala Energbank u krijua në 1997. Në fund të nëntorit 2021, banka zotëronte aktive totale në vlerën 2.96 miliardë lei moldave ose rreth 145 milionë euro.
Që nga janari 2019, Energbank është vendosur nën administrim nga banka qendrore e Moldavisë, për shkak të parregullsive në shitjen e aksioneve nga disa prej aksionerëve të bankës. Energbank ka 14 aksionarë që mbajnë aksione deri në 10% secili.
Që prej vitit 2015, IuteCredit është i pranishëm edhe në tregun shqiptar me institucionin financiar jobankë, IuteCredit Albania. IuteCredit Albania është aktualisht institucioni më i madh i mikrokredive konsumatore në Shqipëri, me një portofol total prej pothuajse 40 milionë eurosh.