Italia ka vendosur një ulje të ndjeshme të tarifave të energjisë elektrike dhe gazit për tre muajt e ardhshëm. Duke filluar nga muaji prill, tarifat e energjisë elektrike për familjet do të ulen me 18.3%, ndërsa çmimet e gazit me 13.5%.
Vlerësohet se falë këtyre masave, gjatë tremujorit të ardhshëm një familje do të kursejë mesatarisht rreth 45 euro për energjinë dhe 139 euro për gazin.
Ulja e çmimeve për konsumatorët është mbështetur nga rënie e ndjeshme e çmimeve me shumicë të këtyre produkteve, për shkak të depresionit ekonomik që po nxit kriza e COVID 19.
Për koincidencë ironike, jo më larg se të mërkurën, Kryeministri i Shqipërisë kërcënoi shqiptarët gjatë mbledhjes online të qeverisë se asnjë vonesë në shlyerjen e faturave nuk do të tolerohet dhe energjia elektrike do të ndërpritet për ata që nuk e paguajnë në kohë.
Ndërkohë që Kryeministri u tregua shumë i zellshëm për urdhëruar shtyrjen e kredive të qytetarëve ndaj institucioneve financiare private, në detyrimet ndaj sektorit publik deri tani po ndiqet politika e tolerancës zero, si për pagesën e taksave, ashtu edhe për shlyerjen e faturave të shërbimeve utilitare.
Në paketën për mbështetjen ekonomisë qeveria ka premtuar faljen e kamatëvonesave të prambetura të energjisë elektrike, por deri tani nuk ka marrë në konsideratë qoftë edhe të pezullojë aplikimin e kamatëvonesave për faturat e radhës.