25 Dhjetor

0 komente

Investimet nga rajoni, vetëm 144 milionë euro

Autor Ersuin Shehu

25 Dhjetor, 2019


Investimet nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në Shqipëri janë në përmasa modeste. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit shtator investimet nga këto vende kishin vlerën e 144 milionë eurove. Kjo shumë përbën vetëm 1.7% të stokut të investimeve të huaja direkte.

Aktualisht, investitori më i rëndësishëm mes vendeve të Ballkanit Perëndimor është Kosova, me 84 milionë euro, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 33 milionë euro dhe Serbia me 24 milionë euro. Investimet nga Mali i Zi dhe nga Bosnja kanë vlera të papërfillshme, me gjithsej 3 milionë euro.

Megjithë afërsinë gjeografike, marrëdhëniet historikisht problematike dhe klima jo miqësore e të bërit të biznes nuk i kanë favorizuar shumë investimet e ndërsjellta mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas Instat, në fund të vitit të kaluar në Shqipëri vepronin 645 ndërmarrje me pronarë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, 100 më pak krahasuar me vitin 2017.  Në pjesën dërrmuese, bëhet fjalë për biznese të vegjël. 95% e gjithë ndërmarrjeve me aksionerë nga vendet e Ballkanit Perëndimorë kanë më pak se 9 të punësuar.

Banka e Shqipërisë raporton se stoku i investimeve të huaja në fund të 9-mujorit 2019 arriti në 8.3 miliardë euro. Krahasuar me një vit më parë, total ii investimeve të huaja në Shqipëri është rritur me rreth 1 miliard euro.

Zvicra ngelet investitori më i madh i huaj në Shqipëri, me një stok investimesh prej pothuajse 1.5 miliardë eurosh. Investimet zvicerane i takojnë pothuajse totalisht projektit shumëkombësh TAP, sepse kompania që po e ralizon projektin është e regjistruar pikërisht në Zvicër. Investitori i dytë më i madh i huaj është Hollanda, me afro 1.2 miliardë euro.

Edhe volumi i madh i investimeve hollandeze, më shumë se me origjinën reale të kapitalit, shpjegohet me faktin se kompanitë përmes të cilave kryhen investimet janë të regjistruara në Hollandë.

Shteti tjetër që zyrtarisht ka investime sipër kufirit të 1 miliard eurove është Kanadaja. Investimet kanadeze i takojnë Bankers Petroleum, që tashmë në mënyrë të tërthortë kontrollohet nga kompani kineze Geo Jade Petroleum. 

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes