Këtë vit janë miratuar projekte ndërtimi në hotele për më shumë se 100 milionë euro. Rritja e turizmit po bën që interesi për të investuar në struktura të reja të jetë i lartë edhe këtë vit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për nëntë muajt e parë të këtij viti janë dhënë gjithsej 55 leje ndërtimi për struktura akomoduese, numër ky i përafërt me 9-mujorin e parë të vitit të kaluar.
Mbështetur në të dhënat e lejeve të ndërtimit, vlera e hoteleve të miratuar për t’u ndërtuar është rreth 12.7 miliardë lekë, në rritje me pesë e herë e gjysmë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Vitet e fundit, turizmi po nxitet edhe përmes incentivave fiskale. Që prej vitit 2017, TVSH-ja për shërbimet ekomodimit u ul në 6%. Ndërsa vitin e kaluar u vendos që hotelet me katër dhe pesë yje të përjashtoheshin nga pagesa e tatimit mbi të ardhurat për një periudhë 10-vjeçare. Këto incentive, megjithatë, kanë tërhequr më shumë sipërmarrësit e rëndësishëm vendas, sesa investitorë të specializuar të huaj.
Grupe të rëndësishme biznesi, si Balfin, Kastrati, Edil Al, apo Bolv Oil kanë ndërmarrë investime të mëdha në struktura akomoduese. Megjithatë, kusht për të përfituar nga lehtësitë fiskale është lidhja e marrëveshjes me një kompani të afirmuar ndërkombëtare për shërbimet e menaxhimit të hoteleve.
Deri tani, vetëm një pjesë kanë arritur të gjejnë një partner të tillë. Grupi Edil Al ka lidhur marrëveshje me spanjollët e Melia Group. Kastrati shpalli një vit më parë bashkëpunimin franchise me rrjetin global Hyatt, por qysh atëherë nuk ka pasur zhvillime konkrete dhe ish-hotel Sheraton vazhdon të zhvillojë aktivitetin në emrin Mak Albania Hotel.
Së fundmi, edhe kompania e karburanteve Bolv Oil njoftoi marrëveshjen me rrjetin francez Accor Hotels, për të hapur një hotel nën markën Novotel Tirana, në dalje të Tiranës, pranë sheshit Shqiponja.
Sipas Instat, për 10 mujorin e këtij viti, Shqipërinë e kanë vizituar rreth 5.85 milionë shtetas të huaj, në rritje me më shumë se 8% krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e turistëve të huaj për 9 muajt e parë të këtij viti arritën në rreth 1.64 miliardë euro.
Megjithatë, një problem për rritjen e numrit të turistëve ngelen përmasat e vogla të njësive akomoduese në Shqipëri. Mesatarisht, një hotel në Shqipëri ka rreth 33 shtretër. Një përmasë e tillë e bën të vështirë tërheqjen e grupeve të mëdha, por mbi të gjitha nuk mundëson përfitime nga ekonomitë e shkallës.