Përfundimi i gazsjellësit TAP ka sjellë një rënie të fortë të investimeve të reja në ekonominë shqiptare. Sipas të dhënave nga Instat, në tremujorin e fundit 2019 formimi bruto i kapitalit fiks ra me 12.08%.
Kjo ishte rënia e tretë tremujore radhazi dhe njëkohësisht më e larta që nga viti 2015, kur Instat nisi të publikonte të dhënat tremujore të Prodhimit të Brendshëm Bruto edhe sipas metodës së shpenzimeve.
Rënia mesatare e investimeve për të katërt tremujorët e vitit të kaluar ishte pranë nivelit 3.3%, duke bërë që viti 2019 të sjellë një kthesë negative për ecurinë e investimeve. Ky besohet të ketë qenë edhe një ndër faktorët që ndikuan ndjeshëm ngadalësimin e rritjes së prodhimit kombëtar.
Instat vlerëson se rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto vitin e kaluar ishte vetëm 2.21%, nga 4.06% që kishte qenë rritja për vitin 2018.
Projektet e mëdha të investimeve të huaja kanë dhënë një kontribut shumë të madh në rritjen ekonomike të vendit gjatë pesë viteve të mëparshme. Më i rëndësishmi ishte gazsjellësi TAP, por një impakt të konsiderueshëm vlerësohet të kenë pasur edhe ndërtimi i HEC-eve të Banjës dhe Moglicës, në kaskadën e Devollit.
Të marra së bashku, investimet e TAP dhe Devoll Hydropower vlerësohet se kanë sjellë më shumë se 2.5 miliardë euro në ekonominë shqiptare.
Reflektimi drastik i përfundimit të këtyre veprave në shifrat e përgjithshme të investimeve në ekonomi duket se e dëshmon më së miri varësinë që ishte krijuar prej tyre.