Investimet e huaja direkte u rritën sërish për vitin 2019, duke qëndruar për të dytin vit radhazi sipë pragut të 1 miliardë eurove. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, vlera totale e tyre arriti në 1 miliardë e 79 milionë euro, 59 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2018.
Vetëm në tremujorin e fundit të vitit, fluksi i investimeve të huaja shënoi vlerën e 275 milionë eurove. Megjithë uljen e volumit të investimeve në projektin madhor TAP, investimet e huaja kanë rezistuar në rritje.
Kontributin kryesor në ruajtjen e rritjes vitin e kaluar e kanë dhënë fitimet e riinvestuara të ndërmarrjeve të huaja ekzistuese. Fitimet e riinvestuara arritën vlerën e rreth 400 milionë eurove, në rritje me 78% krahasuar me vitin 2018.
Rritja e investimeve të huaja për vitin e kaluar u mbështet sërish nga energjetika dhe industria nxjerrëse. Statistikat tregojnë se investimet në sektorin e energjetikës u zgjeruan me 362 milionë euro.
Ky sektor vazhdon të kryesojë bindshëm stokun e investimeve të huaja direkte me më shumë se 2.4 miliardë euro.
Industria nxjerrëse regjistroi sërish rritje me 157 milionë euro në stokun e investimeve totale, e mbështetur kryesisht nga sektori i nxjerrjes së naftës bruto. Investimet totale në këtë sektor kanë arritur në 1.23 miliardë euro.
Sektorët e tjerë të ekonomisë me investime sipër pragut të 1 miliardë eurove janë telekomunikacionet dhe shërbimet financiare, që gjatë vitit të kaluar shënuan një lloj stanjacioni, pa rritje domethënëse të stokut të investimeve.
Të tjerë sektorë me tendencë pozitive të investimeve për vitin e kaluar ishin industria përpunuese, ndërtimi, pasuritë e paluajtshme dhe aktivitetet e call center.