14 Korrik

0 komente

Interesat e borxhit në rënie, megjithë përkeqësimin e treguesve ekonomikë dhe buxhetorë

Autor Ersuin Shehu

14 Korrik, 2020

kryesore

Përkundrejt perspektivave të zymta për ekonominë dhe buxhetin, normat e interesit të letrave të borxhit të qeverisë shqiptare vazhdojnë të ulen. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se obligacionet me maturim dyvjeçar u shitën në ankandin e javës së kaluar me një kupon prej 2.07%, nga 2.55% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Të njëjtën tendencë po ndjekin edhe bonot me maturim 12 mujor. Në ankandin e fundit ato u shitën në tregun primar me një yield mesatar të ponderuar prej 1.79%, nga 1.93% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Interesi i investitorëve paraqitet mjaft i lartë dhe vlera e kërkesave në ankande ka qenë ndjeshëm më e lartë se shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave. Gjendja e lartë e likuiditetit në sistemin bankar dhe rritja e rreziqeve për të kredituar sektorin privat duket se po zhvendosin më shumë investimeve drejt titujve qeveritarë.

Në fakt, duke pasur parasysh përkeqësimin e skajshëm të parametrave makroekonomike dhe buxhetorë rënia e interesave në muajt e fundit duket pothuajse një paradoks. Pritet që ekonomia shqiptare të pësojë një rënie të fortë këtë vit, rënie që sipas skenarëve bazë të institucioneve të specializuara do të arrijë në të paktën 6%. Kriza e Covid-19 ka goditur rëndë buxhetin dhe ka detyruar qeverinë ta rishikojë atë për tre herë brenda pak muajve. Sipas draftit të fundit, të hartuar në fillim të muajit korrik, pritet që deficiti buxhetor të arrijë në 8.4% të Prodhimit Brendshëm Bruto, ndërsa borxhi publik pritet të kalojë nivelin e 75% të Prodhimit Kombëtar.

Krahasuar me buxhetin fillestar, që u miratua në fund të vitit të kaluar, qeveria e ka ulur parashikimin e të ardhurave me 63 miliardë lekë ose rreth 500 milionë euro. Por, megjithëse kjo tablo dëshmon një rritje të fortë të rreziqeve, tregu financiar nuk po reflekton ndonjë shqetësim të madh, mbështetur në çmimin e ofruar për të blerë borxhin e qeverisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes