Shpallja e një shtyrjeje të re tremujore të kredive nga Kryeministri ka vendosur në pozitë të vështirë institucionet e mikrofinancës. Përmes një komunikate zyrtare, Shoqata Mikrofinanca Shqiptare (AMA) shprehet se kreditë e marra në këto institucione nuk do të shtyhen përsëri dhe udhëzimet e reja të miratuara nga Banka e Shqipërisë janë të vlefshme vetëm për bankat tregtare. AMA kërkon nga klientët që përfituan prej shtyrjes së parë të kredive që të rifillojnë pagesat e kredive gjatë muajit qershor.
Pas moratoriumit të imponuar nga qeveria në muajin mars, institucionet anëtare të shoqatës së mikrofinancës kanë shtyrë gjithsej 30 mijë kredi, për një vlerë totale prej rreth 70 milionë eurosh.
“Pavarësisht goditjes në likuiditet dhe pamundësisë së rikuperimit të tyre me ndonjë mbështetje nga Qeveria Shqiptare në formë garancie apo financimi me kushte të favorshme, mikrofinanca ja doli të qëndrojë pranë klientëve të saj në këtë situatë të paprecedentë,” thuhet në komunikatën e AMA.
Shoqata Mikrofinanca Shqiptare është një organizatë sektoriale e themeluar në vitin 2006, e cila bashkon institucionet mikrofinanciare më të rëndësishme në vend. Ky sektor është veçanërisht i rëndësishëm për financimin e atyre subjekteve që kanë akses të kufizuar në sektorin bankar, sidomos fermerë dhe biznese të vegjël.