6 Janar

0 komente

Insig synon të blejë 5.9% të aksioneve në Bankën e Bashkuar të Shqipërisë

Autor Ersuin Shehu

6 Janar, 2020


Kadri Morinaj synon të rrisë pjesëmarrjen e tij në Bankën e Bashkuar të Shqipërisë (UBA). Pasi vitin e kaluar bleu 9% të aksioneve, përmes kompanisë së tij të sigurimeve Eurosig, së fundmi Morinaj ka shfaqur interes për të blejë rreth 5.9% të aksioneve nga aksionerë të vegjël sauditë të UBA-s, por këtë herë përmes kompanisë tjetër të sigurimeve, Insig. Vlera nominale e aksioneve që synohen të blihen nga Insig është rreth 775 mijë dollarë amerikanë.

Në muajin gusht 2019, Eurosig bleu 9% të aksioneve në UBA, duke qëndruar poshtë kufirit të përcaktuar ligjor prej 10%, që do të kërkonte marrjen e miratimit nga Banka Qendrore. 

Për këtë qëllim, me sa duket, këtë herë blerja e aksioneve të tjera synohet të bëhet përmes kompanisë Insig. Megjithatë, duke qenë se bëhet fjalë për dy kompani të lidhura, ku aksioneri kontrollues është i njëjti individ, me një interpretim të thjeshtë të ligjit, do të jetë e vështirë që këtë herë Banka e Shqipërisë të anashkalohet.

Dy vjet më parë, Kadri Morinaj hyri në garën për blerjen e NBG Bank Shqipëri përmes kompanisë Eurosig, por pa sukses. Ndonëse në mënyrë jozyrtare, vetë Banka e Shqipërisë në atë kohë nuk dha një opinion të favorshëm për Eurosig.

Skepticizmi rreth mundësisë që grupi Eurosig-Insig të marrë nën kontroll një bankë mund të shpjegohet me mosqenien një investitor i specializuar, por edhe me problematikat që ky grup ka në aktivitetin e sigurimeve.

Për dy vjet radhazi, këto dy kompani nuk kanë përmbushur kërkesat ligjore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare lidhur me nivelin minimal të kapitalizimit (aftësisë paguese). Për Eurosig, çështja përfundoi në gjykatën administrative, që i dha të drejtë kompanisë dhe rrëzoi kërkesat e AMF-së për rritjen e kapitalit. Sidoqoftë, problemi ngelet i hapur.

Insig u përball me një problematikë të ngjashme edhe në Kosovë, që çoi në heqjen e licencës dhe ndërprejen e aktivitetit. Banka Qendrore e Kosovës ndoqi një linjë të ashpër dhe nuk hezitoi t’i hiqte licencën Insig, pasi aksionerët refuzuan të rrisnin kapitalin, sipas kërkesave të institucionit mbikëqyrës.

Ky background nuk e bën grupin Eurosig-Insig subjekt shumë të besueshëm në sytë e Bankës së Shqipërisë; megjithatë, edhe me blerjen e aksioneve të reja, ky grup do të ngelej larg të qenit aksioner kontrollues në UBA. Aksioneri kryesor është Banka Islamike për Zhvillim(IDB), me mbi 77% të kuotave.

Nga ana tjetër, duke parë përmasat modeste të UBA-s dhe mungesën e rritjes në gati 27 vite aktivitet, është e arsyeshme të mendohet se IDB synon të dalë gradualisht nga investimi.

Banka e Bashkuar e Shqipërisë është një bankë e themeluar qysh në vitin 1993, por pa arritur ndonjëherë të zërë një peshë të rëndësishme në tregun bankar shqiptar. Sipas të dhënave të raportuara nga UBA, në shtator 2019 ajo zotëronte 0.6% të tregut bankar, për një total aktivesh prej 8.9 miliardë lekësh. Veprimtaria e saj mbështetet në parimet e bankingut islamik.

Në mbledhjen e asamblesë së aksionerëve, të zhvilluar në mesin e muajit dhjetor në Arabinë Saudite, UBA miratoi gjithashtu një rritje të kapitalit aksioner, me 1 milionë dollarë amerikanë. Rritja e kapitalit u rekomandua nga Banka e Shqipërisë, pas inspektimit të plotë të bankës vitin e kaluar.

Por, duke parë mungesën e dëshirës nga aksionerët e vegjël për të vazhduar të investojnë në UBA, nuk përjashtohet që rritja e kapitalit të shfrytëzohet nga Kadri Morinaj për të rritur pjesëmarrjen në bankë. Sidoqoftë, edhe në këtë rast, rritja e pjesëmarrjes përtej kufirit të 10% do të kërkojë miratimin e Bankës së Shqipërisë.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes