Kompania e sigurimit të jetës, Insig Jetë, do të kthehet në pronësinë e Eurosig. Palët kanë vendosur të revokojnë kontratën e vitit 2017, sipas të cilës 90% e kuotave të Insig Jetë u blenë nga biznesmenët Samir Mane dhe Shefqet Kastrati, përkatësisht 45% secili. Vlera e shitjes në paketës së aksioneve kishte qenë 3.5 milionë euro ose 473.3 milionë lekë.
Megjithatë, marrëveshja parashikonte që pagesa në momentin e nëshkrimit të kontratës do të ishte vetëm 20 milionë lekë, ndërsa diferenca do të paguhej brenda 24 muajve, pasi të kryhej një auditim i thelluar i llogarive të kompanisë.
Rrjedhimisht, diferenca prej 453.3 milionë lekësh ishte fiksuar si vlerë e arkëtueshme në dhe nuk rezulton të jetë shlyer nga blerësit as për vitin 2019.
Në bazë të marrëveshjes së revokimit të nënshkruar së fundmi, Eurosig do t’i kthejë Samir Manes dhe Shefqet Kastratit shumën e paguar në vitin 2017, prej 20 milionë lekësh, ndërsa do të marrë mbrapsht 90% të aksioneve, për një çmim prej 333 milionë lekësh.
Në vijim, transkasioni duhet të marrë miratimet përkatëse rregullatore nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Autoriteti i Konkurrencës.
Shitja e Insig Jetë në vitin 2017, pak kohë pas privatizimit të Insig, besohet se ishte një operacion i përkohshëm, ndoshta me qëllim rregullimin e detyrimeve mes palëve të përfshira në transaksion.
Një nga aksionerët e Insig Jetë, Shefqet Kastrati, vitin e kaluar licencoi shoqërinë tjetër të sigurimit të jetës, Albsig Life, e kontrolluar 100% nga kompania e tij e sigurimeve Albsig. Ndërkohë, Samir Mane, megjithëse mori pjesë në garën e privatizimit të Insig, gjatë viteve në vijim nuk ka shfaqur interes për të pasur një prani strategjike në tregun e sigurimeve.
Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për 5-mujorin 2017, Insig Jetë zotëronte 17% të primeve të shkruara bruto në tregun e sigurimit të jetës, për një vlerë totale prej 69 milionë lekësh.