Inflacioni iu kthye menjëherë rënies në prill, pas rritjes së beftë të muajit mars, të shkaktuar kryesisht nga efekti i epidemisë së Covid-19. Instituti i Statistikave bëri të ditur se për prillin inflacioni zbriti në 1.9%, nga 2.1% që u regjistrua një muaj më parë. Inflacioni ngelet më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me gjysmë pikë përqindje më shumë, por më së shumti kjo është vijimësia e pasojave të shkaktuara nga koronavirusi.
Që nga mesi i marsit, u vërejt një rritje e çmimeve sidomos në produktet ushqimore, pas një lloj shqetësimi që përfshiu publikun, e shoqëruar me rritje të fortë të blerjes së mallrave të konsumit. Sipas ekspertëve, kjo rritje mund të ketë qenë kryesisht abuzive, madje disa subjekte të tregtimit me shumicë u gjobitën nga inspektorët tatimorë.
Nga ana tjetër, një faktor që mund të ketë influencuar për prillin është e mbiçmimi i përkohshëm i euros në fund të muajit të kaluar. Kjo ka rritur koston e mallrave të importuara në këtë periudhë, çka edhe është reflektuar në një rritje të lehtë të çmimeve.
Edhe për prillin inflacioni u formua në pjesën më të madhe nga çmimet e ushqimeve, që formuan rreth 86% të rritjes së tij. Sipas Instat, brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 19,3 %, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet” me 6,3 %, “vajra dhe yndyrna” me 4,6 %, “peshk” me 4,2 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata, dhe ëmbëlsira” me 3,7 %.
Në grupet e tjerë, nuk ka pasur rritje domethënëse çmimesh, ndërsa rënie të ndjeshme ka pësuar grupi i çmimeve të lidhura me transportin. Çmimet e karburanteve në dy muajt e fundit kanë pësuar, duke reflektuar pjesërisht uljen e çmimeve të naftës në tregjet botërore.
Pasi efekti afatshkurtër i masave dhe i panikut nga pandemia të jetë shuar, gjasat janë që inflacioni të bjerë sërish gradualisht për muajt në vijim. Projeksionet e institucioneve të specializuara tashmë përputhen në një skenar negativ për ekonominë, që do të shoqërohet me rënie të prodhimit kombëtar dhe të punësimit gjatë vitit 2020. Kjo do të ndikojë në mënyrë të paevitueshme kërkesën e brendshme dhe do të dobësojë më tej presionet për rritjen e çmimeve.
Ky skenar pasqyrohet edhe në pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë për stabilitetin e çmimeve. Guvernatori Sejko tha të mërkurën se inflacioni do të fillojë rritjen drejt objektivit prej 3% vetëm duke filluar nga viti i ardhshëm.
Banka e Shqipërisë uli në muajin mars normën bazë të interesit në minimumin historik prej 0.5%, por ndërkohë ka paralajmëruar se kjo mund të mos jetë e mjaftueshme. Në rast se ndikimi i pandemisë do të shtrihet më tej, Banka Qendrore ka paralajmëruar ndërhyrje të tjera, përshi këtu edhe nisjen e një programi të lehtësimit sasior.