10 Gusht

0 komente

Inflacioni bie në nivelet e para krizës së Covid-19

Autor Ersuin Shehu

10 Gusht, 2020

kryesore

Inflacioni ra përsëri në korrik, duke konfirmuar zbehjen e goditjes së përkohshme në çmime që dha shpërthimi i epidemisë së Covid-19. Të dhënat e Instat tregojnë se norma vjetore e inflacionit për korrikun ishte 1.4%, nga 1.8% që pati qenë në qershor. Në krahasimin mujor, indeksi i çmimeve të konsumit pësoi rënie me 0.5%. Luhatjet e inflacionit gjatë muajve të fundit kanë qenë kryesisht të lidhura me grupin e ushqimeve. Edhe për korrikun, inflacioni i këtij grupi pësoi sërish një rënie të ndjeshme me 1 pikë përqindje, duke zbritur në 3.1%.

Burimi: Instat

Për korrikun, ndikim të ndjeshëm dha ulja e çmimit të perimeve, me 0.8% më pak krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, inflacioni ngelet në nivele të larta për frutat, me 16.3%, për vajin me 4.8%, apo për peshkun me 4.5 %.

Për shumicën e grupeve të tjera, luhatjet e normës vjetore të inflacionit janë të vogla. Për korrikun ulja e çmimit të karburanteve solli rënien e mëtejshme në inflacionin e grupit “Transporti”, në -4.8%.  

Shifrat po tregojnë se rritja e çmimeve pas shfaqjes së epidemisë së Covid-19 ishte kalimtare. Inflacioni është rikthyer tashmë pranë niveleve të fillimit të vitit dhe duket se një rritje e tij e qëndrueshme do të kërkojë ende kohë.

Në mbledhjen e javës së kaluar, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u shpreh se inflacioni pritet t’i afrohet objektivit prej 3% vetëm në vitin 2022. Këtë vit pritet që ekonomia të pësojë një rënie të fortë me më shumë se 6%, ndërsa rimëkëmbja mund të rifillojë vetëm vitin e ardhshëm, gjithmonë në rast se epidemia nuk do të ketë përshkallëzime të mëtejshme negative, që mund të kërkojnë kufizime të tjera të aktivitetit social dhe ekonomik. Rënia e prodhimit dhe e punësimit pritet ta dobësojnë kërkesën e brendshme dhe të mbajnë të ulëta presionet për rritje të çmimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes