Interesi i individëve për të investuar në letrat me vlerë të qeverisë shqiptare duket në rënie. Mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Financave, në mesin e këtij viti individët mbanin rreth 12.4% të borxhit të brendshëm. Një vit më parë, pjesa e individëve në financimin e borxhit të brendshëm ishte 14.1%, ndërsa në mesin e vitit 2018 edhe më e lartë, me 15.9%.
Shuma totale e investuar nga individët në bonot dhe obligacionet e qeverisë shqiptare vlerësohet në rreth 77 miliardë lekë, ndërsa një vit më parë kishte qenë mbi 80 miliardë lekë.
Financuesit kryesorë të borxhit të brendshëm të publik ngelen bankat tregtare, me rreth 391 miliardë lekë në fund të qershorit, shumë kjo që përbën mbi 63% të stokut të borxhit të brendshëm.
Vitet e fundit, interesi i individëve për të investuar në bono dhe obligacione është në rënie, çka mund të shpjegohet me rënien e normave të interesit. Në mesin e këtij viti, yield-i mesatar për instrumentet e borxhit të brendshëm ra më tej në 3.75%, niveli më i ulët historik.
Në këto kushte, shumë individë preferojnë t’i mbajnë paratë kryesisht në llogari dhe depozita bankare. Ndonëse edhe për këto produkte normat e interesit janë në nivelet minimale historike, ato perceptohen si instrumente më likuide dhe paratë mund të tërhiqen në çdo moment.
Në fundin e muajit korrik, depozitat e individëve në sektorin bankar arritën në një trilion e 30 miiliardë lekë, në rritje me 67 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë.